Haradinaj për gratë kosovare: Bartëset e vërteta të ndryshimit dhe zhvillimit
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj ka mbajtur takim me gratë e Klinës e të Prizrenit.
E përmes një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se këto gra kanë dëshmuar dhe një herë se janë forcë e madhe transformuese për Kosovën.
“Gratë e Klinës dhe të Prizrenit dëshmuan edhe një herë se janë forcë e madhe transformuese për Kosovën. Në takimet e sotme me to, ndava vizionin tonë për një Kosovë ku gratë nuk janë thjesht përfituese të kuotave, por bartëse të vërtetë të ndryshimit dhe zhvillimit. Me krenari shoh se në Klinë, nën udhëheqjen e Aleancës dhe kryetarit Zenun Elezaj, kemi shembullin më të mirë se si duhet të jetë përfaqësimi dhe fuqizimi i gruas në vendimmarrje. Ndërsa në Prizren, qytetin tonë historik e të kulturës, gratë kanë dëshmuar vazhdimisht se janë ruajtëse të vlerave më të mira dhe njëkohësisht bartëse të progresit. Ky model duhet të shtrihet në mbarë Kosovën, ku gratë të jenë pronare të barabarta të pasurisë, të kenë qasje të plotë në kredi dhe subvencione shtetërore, dhe të gëzojnë mbështetje reale për familjet e tyre”, ka shkruar Haradinaj.
“Koalicioni për Kosovën Fituese me numër 137 ka program konkret për gratë – nga paga minimale 500 euro për nënat me 3 e më shumë fëmijë, deri te mbështetja financiare për familjet e reja. Kosova do të jetë vërtet fituese vetëm kur çdo grua të jetë e barabartë jo vetëm në letër, por në çdo aspekt të jetës shoqërore dhe ekonomike”, shtoi tutje ai.