Haradinaj pas dënimit të Salih Mustafës me burgim: Cali është i fortë, i qëndron besnik vijës kombëtare që e ka nisë

Nasim Haradinaj, ka folur për procesin e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se Gjykata Speciale ‘’është hajgare’’.
Haradinaj ka folur edhe në lidhje me vendimin e gjykata Supreme ia ka lënë në fuqi dënimin prej 15 vjet burgim ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa me arsyetimin se “nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale”, duke thënë se Cali është ‘‘djalë i fortë’’.
Ai po ashtu ka deklaruar se, ‘‘njerëzit po shantazhohen nga vetë Gjykata’’.
‘‘Për mua kjo ka qenë diçka e pritshme, jo e arsyeshme. Duke pasur parasysh që gjithmonë në krye të kësaj është Trendafilova, Trendafilova është pajtuar me kësi lloj gjykate. Por unë frikohem shumë se edhe rasti i Pjetër Shalës, edhe i Salih Mustafës është kriju precedan që kërcënon për procedurat tjera, dhe mendoj që aty është qëllimi. Cali është djalë i fortë. Ka mujt me ndryshu krejt rrjedhën e gjykimit në favor te veten, dhe disfavor të tjerëve, por Cali i qëndron besnik asaj vijës kombëtare që e ka nisë. Është një gjykatë hajgare. Është hajgare vetë raportimi i Trendafilovës. Kam thanë herët që njerëzit janë tu i shantazhu, tu i manipulu, vetë Gjykata, vetë kjo Prokurori’’, ka thënë ai mes tjerash në FRONTAL në T7.