Haradinaj: Paraqitje dinjitoze e Kombëtares Shqiptare, presim me padurim kualifikimin e Kombëtares së Kosovës në Botëror
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rrugëtimit të Kombëtares së Shqipërisë në EURO2024, i cili përfundoi mbrëmë pas humbjes nga Spanja (0:1).
Haradinaj ka thënë se tifozëria shqiptare i ka dhënë hijeshi shesheve e stadiumeve të Gjermanisë sa herë që kanë luajtur kuqezinjtë.
“Kampionati Evropian i Futbollit, këtë herë, më shumë se sa paraqitjen dinjitoze të Kombëtarës Shqiptare, ka shpërfaqur kulturën dhe shpirtin shqiptar. Tifozëria shqiptare u ka dhënë hijeshi shesheve e stadiumeve të Gjermanisë, kudo ku janë ndeshur kuqezinjtë. Atmosfera e krijuar nga shqiptarët e të gjitha trevave, e posaçërsht nga diaspora, do të renditen ndër margaritarët e këtij kampionati.”
Ai ka thënë se ndonëse nuk u kualifikua për të tetën e finales, Kombëtarja e Shqipërisë dëshmoi se është e denjë të renditet ndër ekipet më të mira të futbollit.
Haradinaj ka shtuar se me padurim pret kualifikimin e Kombëtares së Kosovës në Kampionatin Botëror.
“Kombëtarja e Shqipërisë, megjithëse nuk arriti të kualifikohet për të tetën e finales, dëshmoi se është e denjë të renditet ndër ekipet më të mira të sportit më të popullarizuar në Evropë. Asaj i urojmë më shumë sukses në kampionatet e radhës, e deri në Kampionatin Botëror, ku me padurim e presim edhe kualifikimin e Kombëtares së Kosovës.”