Haradinaj: Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, do të trajtohet si armik i vendit, do të ndëshkohet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas fjalëve të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, se hapja e urës tash do të rrezikonte ushtarët amerikanë të KFOR-it.
Ai ka thënë se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë, është kundër Kosovës dhe do të trajtohet si armik i Kosovës.
“Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Postimi i plotë:
Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet!
Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!
P. S
Të gjithë ju që keni përgjegjësi shtetërore, nëse e gjeni veten këtu, pas lutjes (edhe publike) amerikane për Qeverinë e Kosovës, dijeni se s’do ta keni mbrojtje petkun që ju mbështjellë përkohësisht!