Haradinaj: Kadare këtë komb të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Ismail Kadare ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu.
Pas lajmit për vdekjen e shkrimtarit, Haradinaj tha se Kadare letërsinë e një kombi të vogël e futi në “analet e letërsisë së përbotshme”.
“Sot nuk ka emër më të madh ndër shqiptarë, se sa emri Ismail Kadare. Jo vetëm se ai mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por sepse ishte shqiptari më i famshëm në Glob. Njeriu që e lartësoi Kombin, që e lartësoi Shqipërinë, që lartësoi Kosovën dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme”, shkroi Haradinaj.
“Ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu! Ky emër do t’i jetojë epokat! Lamtumirë Mjeshtër!”, shtoi ai.