Haradinaj iu premton veteranëve krijimin e ministrisë për UÇK-në

Haradinaj iu premton veteranëve krijimin e ministrisë për UÇK-në

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30, Ramush Haradinaj ka thënë se anëtarësimi në NATO do të hapë rrugën për hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sipas tij, opozita duhet ta largojë Albin Kurtin nga qeverisja aktuale pasi me antiamerikanizmin e tij, ai po e rrezikon vendin.

Haradinaj ka thënë se hyrja e Kosovës në NATO është shumë e rëndësishme, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të ndihmojë Aleancën Veri-atlantike dhe se hyrja në këtë organizatë do të hapte rrugën për hyrje edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

“Bota është duke ecur në ritme shumë të shpejta dhe çështjen e sigurisë po shkon me dinamikë të vështirë. Ushtria jonë ka se çka i ofron NATO-s, i ofron kapacitetin e vet elitar. Ne mundëm të hyjmë në NATO pa na njohur Serbia. Ne me hy në NATO është edhe parimi që të mos e pengojë Serbia anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në 100- ditshin e parë ajo që ekziston sot si jo zyrtare por miqësore, diskutimi për çështje tona vetëm ka mbërri në nivel dhe ajo do të zyrtarizohet në Qeverinë e Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është edhe një goditje e interesave të armiqve tonë. Me hyrjen në NATO vjen edhe ekonomia”, ka thënë ai.

Kandidati për kryeministër, Haradinaj ka shtuar se nuk është edhe aq i shoqërueshëm me partitë tjera opozitare, por duhet të bashkohen si opozitë e të ndryshojnë qeverisjen aktuale pasi kryeministri Albin Kurti vazhdon me politika antiamerikane.

“Ne duhet ta ndryshojmë Kurtin. E kush e ndryshon, duhet ne opozita. Unë nuk është se jam në dashuri të madhe as me PDK-në, as me LDK-në, por duhet të punoj me ta për ta hequr këtë njeri (Kurtin). Për fat të keq ai ka vazhduar të sillet si antiamerikan. Ka arritur të krijojë një bindje në popullin e vet si antiamerikan që është rrezik për ne dhe është gabim. Na duhet një ndryshim”, ka thënë ai.

 

Haradinaj ka përmendur krijimin e një ministrie që do t’i trajtojë “kategoritë e lirisë”.

“Në të kaluarën ka qenë e paraparë, çdo punë që e bëjmë ne për dialogun edhe Serbia ta bëjë dhe në fund të na njohë si shtet. Po e shihni çfarë stresi ka qenë qëkur ka ardhur Qeveria e Albinit, nuk po na trajtojnë shkaku i zgjidhjeve dhe veprimeve të gabuara të tij dhe nuk e kanë në agjendë Serbinë të na njohë. Nuk po i bënë presion Vuçiqit t’i nënshkruajë marrëveshjet. Atëherë, ne po u themi amerikanëve, ne po duam të hyjmë në NATO, nuk e ndërlidhim me Serbinë, nuk po ua kërkojmë nënshkrimet e marrëveshjeve, nuk janë të gatshëm, vetëm me ju po dëshirojmë të kemi punë… Është mirë të fuqizojmë rininë. Do ta krijojmë ministrinë e kategorive të lirisë, e kanë edhe vendet e tjera, për t’iu rikujtuar të gjithëve sa është e rëndësishme është kjo temë. Nuk do të heqim dorë një ditë dhe do të ndërtojmë shtëpitë e UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i degës së OVL UÇK në Pejë, Gazmend Syla ka theksuar se Qeveria aktuale asnjëherë nuk ka ndihmuar veteranët e luftës.

“Përjetësisht mirënjohës që para 8 vjetëve ju më keni besuar mua të udhëheq organizatën e veteranëve të luftës. Qeveria nuk e ka kthyer kokën kah ne. Ka shkuar edhe në ofendim për pagën minimale. 11 vjet po i bën këtu Muhaxheri (Kryetari i Pejës), kurrë për një varr dëshmori nuk e ka kthyer kokën kah ne. Jemi e vetmja komunë që nuk ka raporte”, ka theksuar Syla./Kosovapress

Shpërndaje në: