Haradinaj: Gjilani është harruar nga Qeveria, autostrada është mbet shkret
Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë se Gjilani është harruar nga Qeveria.
Ai ka thënë se projektet janë ndaluar, ndërsa të rinjtë ia kanë mësy diasporës.
Përvec kësaj, ai përmendi edhe autostradën e papërfunduar në këtë komunë, që sipas Haradinajt tregon dështimin e kësaj qeverie.
Gjilani u harrua nga Qeveria Kurti për tërë këto vite radhaz. Projektet kapitale që i nisëm ne ndaluan, ndërsa rinia po merr rrugën e mërgimit për shkak të mungesës së perspektivës. Autostrada e Gjilanit e mbetur shkret që nga 2020, është dëshmia më e qartë e dështimit dhe paaftësisë së një qeverie që s’di të bëjë asgjë përveç propagandës.
Programi ynë është konkret dhe transformues: Anëtarësimi direkt në NATO për siguri dhe zhvillim ekonomik, rritje të pagës mesatare në 1000€, pensione 500€, mbrojtje të prodhimit vendor, subvencione për eksportuesit, përkrahje secilën familje me “Pakonë për Mirëqenien e Familjes”. Do të investojmë në rregullimin e lumenjve, në impiantet për ujëra të zeza, në infrastrukturën moderne që Gjilani e meriton.
Gjatë qeverisjes sonë, 170 milionë euro investime kapitale transformuan këtë qytet, që sot ka mbetur pa asnjë kujdes qeveritar. Me ekipin tonë të fuqishëm – Ahmet Isufin, Nazim Gagicën, Zarife Asllanin dhe Kushtrim Xhemailin – jemi gati të rikthejmë madhështinë e Gjilanit dhe tërë Kosovës.
Është koha për veprim e ndryshim. Është koha për Kosovën Fituese.