Haradinaj e quan të mjerë qeverisjen e Kurtit: Politika e vendit sot e nënkupton Kosovën direkt në NATO

Haradinaj e quan të mjerë qeverisjen e Kurtit: Politika e vendit sot e nënkupton Kosovën direkt në NATO

Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se busulla e politikës së Jashtme për Kosovën është Shtëpia e Bardhë.

Në një reagim të tij ai bën të qartë planin e tij qeveritar, ku shprehet se nuk do të ketë më politikë të jashtme për populizëm.

”Kurrë më Politikë të Jashtme për populizëm e vota të partisë në pushtet për “liderin suprem”
Ambasadat nuk do të jenë kurrë më degë e as pika të partive politike. Konsullatat nuk do të jenë zyra për votues partish në diasporë. Do t’i shkatërrojmë klubet, tashmë të krijuara partiake, në përfaqësi diplomatike.
Ato duhet:
– Ta shtyjnë anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO;
– Ta organizojnë arsimin shqip në diasporë;
– T’i promovojnë vlerat kulturore, artistike e arsimore;
– Të tërheqin investime të huaja e të rrisin eksportin e mallrave të Kosovës;
– Ta rikthejnë vlerën e shtetit në politikën ndërkombëtare.
Misionet diplomatike të Kosovës në botë janë për të krijuar ura bashkëpunimi, jo për t’i shkatërruar ato e për t’u bërë servis i propagandës së partisë në pushtet.
Ka ardhur koha për një kontratë të re me SHBA. Shtëpia e Bardhë është busulla e politikës sonë të jashtme.
E mjerë është ajo qeveri kur për katër vjet, kryeministri i saj nuk arrin t’i ruajë marrëdhëniet, me aq mund të krijuara, me partnerët strategjikë të Kosovës, por përkundrazi t’i rrezikojë ato. Një kryeministër që për të parën herë në histori e fut vendin e vet nën sanksione të BE-së e të Amerikës, dhe që asnjëherë nuk arrin të jetë mysafir në Shtëpinë e Bardhë. Jo më populizëm në kurriz të aleatëve.
Politika e Kosovës sot e nënkupton Kosovën direkt në NATO, duke e zbatuar menjëherë planin e veprimit për anëtarësim. Anëtarësim i cili do të na hapë horizonte të reja në politikën e jashtme, edhe për njohje të reja, edhe për ndërtimin e urave të miqësive të reja me vendet e botës.
Kosova kurrë më nuk do të sanksionohet e as izolohet. Kosova do të shndërrohet në një vend të dëshiruar për partneritet.
Ambasada e Kosovës në SHBA do të rritet në mënyrë përmbajtësore, me diplomatë dhe bashkëpunëtorë, dhe do të shndërrohet në një mini-Kosovë në mes të Washingtonit. Do t’i rrisim misionet tona në New York, Londër, Paris, Berlin, Romë, Vjenë, Bern dhe kudo që ka nevojë. Kosova është shtet dhe do të sillet si shtet.
Bashkë me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe mekanizmat e tjerë të vendeve aleate dhe të Bashkimit Evropian, do të koordinohemi për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare.
Me ne, pas 9 shkurtit, do të ndodhë Kthesa e Madhe edhe në politikën e jashtme”.

Shpërndaje në: