Haradinaj e quan “rrenc” deputetin e LDK-së, pas 5 minutave i kërkon falje

Periskopi.com Lajme

Një përplasje e ashpër ka ndodhur ndërmjet kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe deputetit të LDK-së Arben Gashi në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj e quajti “rrenc” Gashin, pasi ai e demantoi Haradinajn, për një takim në Ambasadën Amerikane në vitin 2014, ku ishte biseduar për themelimin e ushtrisë së Kosovës, ku sipas Haradinajt, LDK kishte kundërshtuar themelimin e saj.

Fjalën pas Haradinajt e mori Gashi, raporton Periskopi.

Ai tha se në atë takim nuk ka qenë Haradinaj, por i pranishëm ka qenë ai dhe përfaqësuesit e Haradinajt.

“Zoti Haradinaj të njohim për burrë të fortë, por as ne nuk jemi të ligë. Kur është diskutu për ushtrinë, kam qenë pjesëmarrës. Ty të kanë përfaqësu Ardian Gjini dhe Blerim Shala. Je t’u thanë gjëra të pasakta. Të këshilloj në dash dukagjinqe, në dash kosovare që mos me përdor aso shprehje”, tha Gashi.

Haradinaj, pastaj e mori fjalën dhe i kërkoi falje Arben Gashit, ndërsa tha se ajo që deklaroi për themelimin e ushtrisë ishte e vërtetë dhe se shumë njerëz mund ta vërtetojnë.

“Arben, ke të drejtë. Nuk është dashtë me përdor aso shprehje. Kërkoj falje. Ka plot njerëz këtu që janë kanë aty, që është ofru me ba ushtrinë e Kosovës”, tha Haradinaj. /Periskopi/