Haradinaj e prishi imazhin e Thaçit: Çka do të bëj PDK-ja në opozitë?
Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit më së shumti i dhemb PDK-së. Përjashto Nismën Socialdemokrate dhe ndoshta PSD-në, të gjitha dyert e partive tjera parlamentare në Kosovë qëndrojnë të mbyllura për të. Dhe si e vetme, e ka të pamundur që të dalë e para. Për më tepër, edhe raportet me ndërkombëtarët i ka më të prishura se kurrë. Kësisoj, opozita është e pashmangshme.
Në fakt, tash e pesë vjet, kjo parti ndodhet në qorrsokak të plotë. Në vitin 2014, PDK-ja ia doli të fitonte goxha bindshëm në zgjedhjet e përgjithshme, por megjithatë ishte detyruar që ta dorëzonte pozitën më të rëndësishme në vend, atë të kryeministrit. Pse? Sepse ishte e linçuar brenda skenës politike. Pse? Sepse ish kryetari i saj, Hashim Thaçi, ishte munduar të shitej si ‘pidh same’, si një dredhaxhi i rryer para elektoratit të tij duke e mashtruar secilin aleat politik me të cilin kishte pasur punë. I pëlqente të shihej në atë formë. Ama, Thaçi që po mundohej ta forconte asocimin me nofkën e tij, gjarpërin, kishte harruar diçka bazike: mashtrimet që bëhen ashiqare, që dëftohen, që incizohen me kamera, nuk janë mashtrime. E kështu, përfundoi si mashtrues i dështuar. Ai mbetet ende si një ‘pidh same’ për njerëz që nuk kanë gajle ekzistenciale, e që politikën vendore e shohin thjesht si një spektakël, e që moralin e kanë episodik, por edhe ky imazh po i rrënohet.
Paramendoni, Thaçi u mposht me debakël në dy vitet e fundit nga kryeministri i deritashëm, Ramush Haradinaj. E Haradinaj nuk shquhej për kurrfarë dredhaxhie. Nuk shquhej si i zgjuar. Në vitet e pasluftës, partia e tij garonte në zgjedhje me moton “veç drejt”.
E vërteta është që Thaçi i bëri disa gabime të tmerrshme politike nga mungesa e zgjuarsisë, nga mungesa e vizionit. Gabimi i parë ishte klientelizmi. Ai i lidhi votuesit e tij me vargonjtë e interesave vetjake ekonomike. E përmbushja e vazhdueshme e këtyre interesave vetjake e gërryen shtetin. E gërryen edhe pushtetin. Dhe, i gërryen edhe idealet. Kjo bëri që krahas abuzimit me pozicionet e pasuritë shtetërore, të rrënoheshin edhe vlerat e luftës e të sakrificës që i trashëgoi PDK-ja. Gabimi i dytë ishte pikërisht fluiditeti i identitetit ideologjik. Përcaktimi i një profili ideologjik do t’i mundësonte që të qartësonte vizionin mbi ekonominë e vendit, mbi angazhimin e saj si parti në skenën politike, dhe në një formë do t’i çelte horizonte të reja për të rifreskuar imazhin e saj. Por jo, ky fluiditet i mundësoi të bëhej hiperaktive në korrupsion dhe njëkohshëm të bëhej e neveritshme për secilin qytetar që mund të mendojë përtej hundës së vet. Gabimi i tretë ishte tëhuajsimi kulturor. PDK-ja rridhte nga fshatarësia e varfër në Kosovën e paraluftës. Rridhte nga njerëzit më të shtypur të sistemit jugosllav. E megjithatë, lidershipi i saj iu nënshtrua kërkesës shoqërore për një urbanizim të gërditshëm e sipërfaqësor imazhi duke tradhtuar themelet e veta, të cilat së pari i korruptoi e më pas i margjinalizoi/dëboi. [nuk e di saktë cila fjalë është më e drejtë në këtë rast] Kjo kulmoi me flirtin e hapur ndaj pseudoelitës së krijuar gjatë kohës së jugosllavisë, dhe duke i afruar një varg personalitetesh që thjesht kishin dalë disa herë nëpër media dhe që kishin imazh sipërfaqësor urban. Duke mos ditur çka të bënte me të, PDK-ja e përdhunoi autenticitetin e saj. Nuk u urbanizua mirëfilli e prandaj mbeti e rrethuar me pseudo-elitarë pa kurrfarë formimi. Dhe mbeti tepër provinciale.
Se PDK-ja e ka humbur pushtetin real në vend mund ta shihnim edhe nga reformat e bëra prej kryeministrit të kaluar, Isa Mustafës. E po ashtu, prej rrebeve e qëndrimeve të palëkundura të kryeministrit aktual, Ramush Haradinajt. Por, më e rëndësishmja, nga cirku jodomethënës i Hashim Thaçit. Në vitin 2016 ai e bëri mision që brenda disa javësh ta krijonte Ushtrinë e Kosovës, duke ia ndërruar misionin FSK-së pa ndryshime kushtetuese. Dështoi në mënyrë spektakulare pasi zyrtari i lartë amerikan Hoyt Brian Yee erdhi e i tha ta harronte atë punë në zyren e tij. Në fund të vitit 2017, Thaçi u rrek që ta përmirësonte gabimin e tij: ia mësyu shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Dështoi keq, po ashtu. Gjatë dy viteve të fundit e promovoi pa kurrfarë suksesi idenë e korrigjimit të kufijve, e që praktikisht nënkuptonte ndarjen e Kosovës në të mirë të arritjes së njohjes nga Serbia. Dështoi për gjynah. Në njërën anë, mbështetja në vend për një ide të tillë ishte fare e vogël, dhe në tjetrën Serbia veç sa e kishte ashpërsuar retorikën e saj duke ia tërhequr disa njohje Kosovës.
Edhe Ali Podrimja nga varri dukej më i pushtetshëm se Thaçi përmes këtyre vargjeve:
Tokë me nda nuk kam
Hasmi në pidh t’samës
Me vdekë duhet mësue
Qençe nuk jetohet më.
Nejse. Domethënë, opozita për PDK-në është e pashmangshme. Ajo që të vjen ndërmend së pari kur bashkojmë PDK-në me opozitën është heshtja e Hashim Thaçit si kryeopozitar gjatë viteve 2004-2008. AAK-ja me LDK-në kishin qeverisur në mënyrë të tmerrshme, me skandale të përjavshme, por Thaçi nuk e kishte çelur gojën duke u radhitur mes deputetëve më të heshtur vit pas viti. Sidoqoftë, në këtë pikë Thaçi meriton të lavdërohet pasi të paktën në publik nuk i kishte fryer zjarrit të sentimentit anti-LDK që ishte i fortë në mesin e eksponentëve të UÇK-së. Madje, pas vdekjes së Rugovës shkoi e u përkul para varrit të Rugovës. Ky ishte një gjest për t’u përshëndetur. Roli i Thaçit ishte aq i rëndësishëm sa përmes një ndërsimi nga foltorja e Kuvendit mund të kishte shkaktuar luftë civile. Megjithatë, ai heshti dhe kjo heshtje ishte mjaft e vlefshme. Ndërkohë, një politikan shumë më i vjetër se ai, Adem Demaçi, nuk pati maturinë që të heshtte në atë periudhë të përgjakshme. Ai e shau LDK-në ku mundi, e shau Rugovën dhe e rriti ndasinë. E cila për fat të mirë, sot duket e tejkaluar.
Dhe nën këto rrethana të ndryshme, telashet në opozitë-bërje duken reale për PDK-në. Kjo parti duhet të mësohet që ta çelë gojën, të ushtrojë oratorinë, të mësohet që të bëj kritika kundër pushtetit, dhe në anën tjetër të reformohet përmbajtësisht. Pse? Sepse i duhet një legjitimim i pozicionit si kritikuese e pushtetit. I duhet të pranojë gabimet e bëra gjatë qeverisjes gjashtë vjeçare. E kështu me radhë.
Por, më e rëndësishmja, i duhet të kapërcejë imoralitetin ku ka rënë. Nuk është mirë të jesh mashtrues. Nuk është mirë të vjedhësh. Nuk është mirë të jesh ‘mafi’. Të jesh ‘pidh same’. Duhen kultivuar disa ideale që të legjitimohet ekzistenca e saj si parti politike.
Kjo është tepër e zorshme, por roli i opozitës në demokraci të brishta është tepër i rëndësishëm dhe PDK-së i duhet ose që të mos e bëj të gërditshëm një pozicion të tillë, ose të shuhet. Sepse, pa mundësinë për të mbajtur klientelën, duhet që votuesit të lidhen përmes vargonjve të ideve.
Edhe në qeverisjen e mundshme LDK-VV do të ketë skandale. Mungesa e kuadrove profesionale e bën të veten. Do të ketë keq-qeverisje e abuzim. Nuk e besoj që kanë apetite të atilla sa të bëjnë abuzime të këtyre përmasave. Por, mungesa e kuadrove është shqetësuese.
E nën këto rrethana, vendit i vyen një opozitë tepër konstruktive. Të shpresojmë që PDK-ja do ta kuptojë pozicionin ekzistencial në të cilin ndodhet. Pamundësia për të bërë opozitë do t’i përkthehet menjëhershëm në shuarje të partisë. Mund të mbeten si enveristët nga Ferizaji.