Haradinaj: Do të krijojmë mjedis të favorshëm për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Haradinaj: Do të krijojmë mjedis të favorshëm për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, sot ka vizituar Komunën e Obiliqit.

Haradinaj ka vizitur Kompaninë “Izolimi” në Milloshevë me pronar Halit Rama.

“Në qytetin energjetik të Kosovës, sot shpalosëm pjesë të Programit tonë, vizionit për ditët e mira që i presin qytetarët e Obiliqit e mbarë vendit. Vizitën e fillova në kompaninë “Izolimi” në Milloshevë, ku z. Halit Rama na prezantoi me krenari fabrikën e reciklimit dhe projektet aktuale. Kjo ndërmarrje është shembull i shkëlqyer i inovacionit që po transformon industrinë tonë. Më pas, në Zonën Industriale të Llazarevës, patëm një takim me z. Gëzim Zhdrella, pronarin e Kompanisë “Termopan”. Ambiciet e tij për të zgjeruar prodhimin e dyerve dhe dritareve për eksport janë një dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm të bizneseve vendore”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se AAK është e vendosur të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vendosur të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne do të zbatojmë një sistem tatimor progresiv që do të lehtësojë barrën për ata që fitojnë më pak, duke siguruar që ata që fitojnë më shumë të kontribuojnë më shumë. Kjo do të promovojë drejtësinë sociale dhe do të nxisë rritjen ekonomike. Gjithashtu, do të reduktojmë ose eliminojmë taksa të caktuara, si akciza në naftë për makineri bujqësore dhe industriale, për të stimuluar prodhimin vendas”, është shprehur Haradinaj.

Ai është zotuar për rritje të subvencioneve financiare për fermerët dhe do të ofrojmë forma shtesë financimi, duke përfshirë kredi të buta.

“Më pas vazhduam vizitën në fermën në Siboc, ku pronari Afrim Mexhuani, që po ashtu ka qenë pjesë e UÇK-së, na prezantoi aktivitetet e fermës së tij. Bujqësia është një sektor kyç për ekonominë e vendit dhe ne jemi të vendosur ta revolucionarizojmë atë. Do të rrisim ndjeshëm subvencionet financiare për fermerët dhe do të ofrojmë forma shtesë financimi, duke përfshirë kredi të buta. Investimet tona do të përqendrohen në modernizimin e infrastrukturës bujqësore, duke përfshirë ndërtimin e liqeneve akumuluese për të siguruar ujë të mjaftueshëm për bujqësi dhe familje. Do të punojmë për të eliminuar barrierat jo-tarifore ndaj produkteve tona ushqimore në rajon dhe do të subvencionojmë koston e garancive bankare për sektorin e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit. Programi ynë inovativ “Eksploro Fermerin” do t’u ofrojë vizitorëve mundësi unike për të përjetuar jetën në fermë, duke promovuar kështu agro-turizmin dhe duke hapur rrugë të reja të të ardhurave për fermerët tanë”, ka përfunduar ai.

 

Shpërndaje në: