Haradinaj 2018: Njeriu që i qiti ‘haraç’ Serbisë

Periskopi Editoriale

Mëngjesi i parë i vitit 2018 nisi me Ramush Haradinajn si kryeministër të Republikës së Kosovës. Ëndrra e tij e madhe e pasluftës, për të cilën funksiononte partia e tij, ishte bërë zhgjëndërr. Veçse, të çelje 1 janarin 2018 si kryeministër nuk dukej aq bukur sa në ëndrrat e Haradinajt dhe të bashkëpartiakëve të tij.

Biles, mund të hamendësojmë që veç për disa muaj, kryeministrit i doli për hundësh karriga e tij, iu bë bajat. Njerëzit s’e respektonin. Para syve një i ri i tha “hajn”, të cilit ia ktheu pakuptimshëm: “A ta kam vjedhë nanën, a babën?”

Skandalet e njëpasnjëshme, pamundësia për t’i arsyetuar vendimet e tij, ashpërsia e pamëshirshme e kritikëve dhe zyrtarëve opozitarë – ia kishin ulur popullaritetin më shumë se çdo kryeministri tjetër më parë.

Për më tepër, Ramushi kishte dalë nga vetja. Ishte zbutur. Fliste më ngadalë e më butë. Veç që të tingëllonte më mirë. Por, kjo veç sa e prishi më shumë imazhin e Haradinajt.

Ndoshta, ai mori turr të punonte para se të mendonte, ose para se të ishte i përgatitur të shiste frytet e punës së tij. Muajt e parë të vitit 2018 ishin vazhdimësi skandalesh dhe vijim i uljes së popullaritetit. Ky dukej se ishte një fatalitet i tmerrshëm për të cilin nuk do të kishte shpëtim. Të gjithë menduam se për Haradinajn s’do të kishte mundësi mëkëmbjeje. Por, të gjithë u gabuam! Fundviti do të tregonte tjetërçka. Një rrëfim si nëpër filma. Nga zero në hero.

Shenjat e para të kthimit të Ramushit te vetja e tij, te qëndrimi i fortë dhe kryeneçësia, i pamë te takimi në Bruksel me Federika Mogherinin. Qytetarët dhe kritikët u ngutën sërish t’i mëshonin Haradinajt dhe të kursenin Mogherinin. Por, kryeministri do të tregohej më i ashpër dhe më i drejtpërdrejt se çdo kryeministër tjetër karshi liderëve të lartë të BE-së. S’do të zmbrapsej.

Haradinaj perceptohej si ‘zero’ edhe për faktin se partitë opozitare, sidomos Lëvizja Vetëvendosje, dukej të kishte të drejtë: ai nuk kishte pushtet real, ishte bërë alet i Hashim Thaçit – presidentit.

Qytetarët po e merrnin vesh se kryeministri nuk e kishte për konsum të brendshëm e për teatër rezistencën ndaj BE-së. Dhe se nuk ishte vetëm një ndër aletet ose veglat e shumta të presidentit Thaçi. Po nëpërdukej gjithnjë e më shumë lufta politike mes tij dhe presidentit. Duke i qitur në rrenë kësisoj fjalët e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Haradinaj po e kundërshtonte hapur ‘korrigjimin e kufijve’ dhe po i bënte ballë kërcënimeve të presidentit Thaçi. Përmes kësaj lufte, që ndoshta s’është aq e sinqertë sa dukt, ndaj presidentit ai iu mëshoi ashpër partive opozitare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së.

Kulmi do të vinte në muajin nëntor. Kosova do të dështonte të anëtarësohej në Interpol, për t’i krijuar hapësirë të madhe në dukje ‘çartjes’ së Ramush Haradinajt. Ai u kthye te vetja. U bë i sertë. I vrazhdë. Dhe patriotik. Vendosi një taksë prej 100%, për të cilën e tha me gojën e tij se ishte udhëzuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Por, zonja e zotërinj, njerëzit duan të shohin atë që shohin dhe taksa 100% duket veprim aq i çmendur sa njerëzit vazhdojnë ta lidhin kryekëput me kryeministrin.

Më pas, ndodhi krijimi i ushtrisë së Kosovës. Dhe, duke qenë se të gjithë ia respektojnë të kaluarën ushtarake, ai mori hise të madhe edhe në këtë ndërmarrje. Haradinaj ia doli mbanë të dilte nga lloçi ku kishte rënë. Ishte viti me rikthimin më të pazakontë për një personalitet, me ndërrimin më të madh të opinionit publik.

Kjo e bën vitin 2019 mjaft enigmatik për kryeministrin, duke qenë se armiqtë e tij politikë nuk janë krejtësisht të mundur!

Shpërndaje në: