Hapja e Urës së Ibrit, Ferati: Gjithçka është e politizune
Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se për hapjen e urës së Ibrit duhet të ketë veprime të koordinuara nga institucionet të Kosovës në mënyrë që qëllimi të ketë sukses.
Ai ka thënë se në këtë çështje është përfshirë edhe KFOR-i dhe EULEX-i të cilat kanë fillu më vë në lëvizje funksionin e tyre.
“Për mendimin tim nuk duhet të ketë veprime të njëanshme të institucioneve të Kosovës, duhet të ketë koordinime për të pas sukses, posaçërisht kur tani është përfshi edhe KFOR-i dhe e EULEXI të cilët po dëshirojnë me vu në funksionin mandatin e tyre, atëherë në një farë forme na qetë në pozitë të vështirë institucionet e Republikës së Kosovës. E para që nuk duhet të vijë në kundrështim dhe e dyta nuk mund të realizohet ai qëllim nëse vlerësohet që vë në rrezik sigurinë në atë pjesë”, ka thënë Ferati në Tëvë 1.
Ai ka thënë se reagimet e ndërkombëtarëve në kundërshtim të hapjes së urës së Ibrit, tregojnë se situata aktuale në Mitrovicë është e ndjeshme.
“Gjithë kjo zhurmë që është bërë tregon diçka, situata është shumë e ndjeshme në Mitrovicë, gjithçka është e politizune, prandaj gjitha veprimet unë mendoj që duhen të koordinohen me bashkësinë ndërkombëtare edhe për të pas një sukses, por edhe për t’ia bërë me dije palës tjetër (serbe) që nuk lejohen sjelljet e një anshme çfarë kanë qenë në të kaluarën”, ka thënë Ferati në Tëvë1.
ShBA e BE kanë bërë thirrje që hapja e urës të mos bëhet në këtë kohë.
Ambasadori amerikan në Kosovë të martën tha se një veprim i tillë në këtë kohë rrezikon ushtarët e KFOR-it përfshirë edhe ata amerikanë.
Kundër hapjes është shprehur edhe KFOR-i, madje të mërkurën ata për disa orë kanë shtuar forcat mbi urën e Ibrit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës tha se hapja e urës nuk është kundër askujt e aq më pak ndaj partnerëve. Ai tha se do të vazhdojë koordinimin me partnerët për këtë çështje.