Hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare

Gjykata Supreme të enjten ka marrë vendim edhe për ankesën e fundit dhe kësisoj i është hapur rrugë shpalljes së rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Supremja ka vendosur ta refuzojë si “të pathemeltë” ankesën e Partisë Demokratike të Ashkalinjëve – LPB, të cilët e kishin kontestuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. PZAP-ja e kishte hedhur poshtë si “të pasafatshme” ankesën e kësaj partie lidhur me manipulimet për votat me postë, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.

Supremja ka publikuar 43 vendimet pas ankesave që aty kishin dërguar subjekte politike e kandidatë për deputetë, kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në njoftimin e tyre për media thuhet se nga 43 ankesat sa i shqyrtuan, 20 ankesa janë refuzuar, 11 janë hedhur si të palejuara, 9 prej tyre janë pranuar dhe 3 ankesa janë pranuar pjesërisht.

Meqë nuk ka më ankesa, tani është në dorën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shpallë rezultatet përfundimtare.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 48 deputetë, Partia Demokratike 24, Lidhja Demokratike 20 dhe koalicioni AAK – Nisma tetë.

Shpërndaje në: