Hapet në Sarajevë “Muzeu i Fëmijërisë së Luftës” (FOTO)
Këpucë baleti, lodra, materiale rrobash, libra, një biçikletë dhe gjëra të tjera të cilat kanë shpëtuar gjatë luftës në Sarajevë dhe që kanë mbetur si kujtim për të mbijetuarit e luftës, të cilët atëherë kanë qenë fëmijë, janë ekspozuar mbrëmë në “Muzeun e Fëmijërisë së Luftës”, për të sjellë një copëz nga historia, përcjellë KultPlus.
Disa objektet qëndrojnë të varura në mur, kurse disa për shkak të delikatesës janë vendosur në kuti xhami, në mënyrë që të vazhdojnë të ruhen dhe të shprehin historinë e tyre para vizitorëve. Gjersa pranë tyre gjendet edhe një fletushkë e cila përmban një tregim në vetën e parë, ku personat të cilët i kanë dhuruar këto objekte tregojnë përjetimet e tyre gjatë luftës dhe lidhjen e tyre me objektin e ekspozuar.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është hapur mbrëmë dhe të parët që kanë hyrë brenda kanë qenë personat që kanë dhuruar gjërat e tyre për koleksionin e muzeut. Hapja e këtij muzeu është bërë pasi që Muzeu i Fëmijërisë së Luftës siguroi mjaftueshëm fonde për të blerë një shtëpi të përhershme.
Kështu muzeu në rrugën Logavina 32 është hapësira e përhershme ekspozuese për koleksionin prej më shumë se 3,000 objektesh personale i cili u nis nga regjisori Jasminko Haliloviç në vitin 2010. Objektet e ekspozuara në Muzeu i Fëmijërisë së Luftës gjatë stinës së dimrit do të qëndrojnë të ekspozuara çdo ditë, përveç të hënës prej orës 11:00 deri në ora 19:00./KultPlus.com