Hamza vazhdon takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit: Diskutuam për thellimin e marrdhënieve Kosovë-SHBA

Hamza vazhdon takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit: Diskutuam për thellimin e marrdhënieve Kosovë-SHBA

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se ka pasur një takim të rëndësishëm dhe të ngrohtë në State Departament me udhëheqësin e diplomacisë amerikane në Ballkan, Alexander Kasanof.

‘’Pata takim të rëndësishëm dhe të ngrohtë në State Department, me udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, z. Alexander Kasanof. Jam tejet i nderuar që jam lideri i parë nga Ballkani që po e takoj z. Kasanof, prej kur ka ardhur në detyrën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Ballkanin Perëndimor. Eksperienca unike e tij e bëri shumë të dobishëm diskutimin e sfidave në peizazhin e ri gjeopolitik botëror. Në takim ishte edhe Drejtoresha për Evropën Juglindore, znj. Colleen Hyland, e cila ka shërbyer në ambasadën amerikane në Kosovë dhe është një mbështetëse e madhe e jona’’, ka shkruar Hamza.

Hamza ka thënë se në këtë takim u diskua edhe për thellimin e mardhënieve midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

‘’Ne u pajtuam për nevojën thelbësore për bashkëpunim, koordinim dhe parashikueshmëri në marrëdhëniet tona me SHBA-në, ndërsa unë e prezantova planin e qeverisjes sime të fokusuar në zhvillim të hovshëm ekonomik, me investime strategjike, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në NATO, ku mbështetja e SHBA-së do të jetë përcaktuese’’, ka shtuar Hamza.

Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi humbur shumë kohë, por jam më i bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes, ka thënë Hamza.

Shpërndaje në: