Hamza nga Shtëpia e Bardhë: SHBA-të mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, ka dhënë detajet nga vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë në ShBA, për të cilin Periskopi ka raportuar të mërkurën mbrëma, shkruan Periskopi.
Teksa ka takuar asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter si dhe Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), Kathleen Larkin, Hamza bëri të ditur se nga ata morën sigurinë se SHBA mbështetë pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ai tutje bëri të ditur se janë përmendur edhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesëshja e vendeve të BE-së
Shkrimi i tij:
Vizitën time në SHBA e fillova me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE. Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike dhe për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm.