Hamza: Kosovës i duhet dera e hapur në Amerikë
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike, Bedri Hamza ka deklaruar se do të riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse i arrin të marrë votat e duhura për t’u bërë Kryeministër i Kosovës.
Thotë se do të bashkëpunoj ngushtë me administratën e Presidentit Donald Trump.
Hamza, në intervistën në Rubikon ka deklaruar se ”Kosovës i duhet dera e hapur në Amerikë dhe se ajo duhet të jetë adresa e parë ku Kosova mund të drejtohet si shtet”.
“Kosova ka qenë me fat edhe është rast i rrallë që është përkrahë nga të dy partitë politike në SHBA, edhe nga Republikan edhe nga Demokratë. Në kohën e bombardimeve ka qenë Klintoni demokrat, në kohën e pavarësisë ka qenë Bushi republikan, të dy partitë e kanë përkrahur gjithmonë Kosovën”.
“Ne duhet të zhvillojmë raporte të mira me SHBA-në edhe gjithmonë të jemi mirënjohës e falenderues dhe të jetë adresa jonë e pare ku të drejtohemi. Prandaj edhe me Administratën e Presidentit Trump do të punojmë ngushtë. Fatkeqësisht nuk kemi qenë mjaftueshëm prezent në Uashington dhe në qendrat tjera vendimmarrëse gjithandej botës viteve të fundit. Ne duhet të jemi shumë prezent, të jemi komunikues me ta, të bisedojmë për nevojat tona t`i dëgjojmë edhe këshillat edhe kërkesat. Neve na duhet bashkëpunim i ngushtë sa ma shumë që e kemi derën e hapur. Ne na duhet një derë e hapur me SHBA, për atë që merremi vesh ta repektojmë në përpikmëri”, ka deklaruar Hamza.