Hamza: Do ta ndërtojmë termocentralin me gaz, do të ketë kapacitet prej 350 MW
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar projektin e tij për ndërtimin e një termocentrali me gaz në Kosovë.
Hamza ka thënë se për një të ardhme të pastër dhe të gjelbër, me kosto jetese më të përballueshme, do të investojë në diversifikimin energjetik.
“Ne do ta ndërtojmë termocentralin me gaz dhe do të fillojmë ta ndërtojmë edhe rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit me gaz natyror në tërë Kosovën. Termocentrali me gaz do të ndërtohet me një kapacitet prej 350 MW, krahas lidhjeve me tubacione nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kosova ka nevojë për kapacitete të reja energjetike dhe për një furnizim të qëndrueshëm me rrymë, për çdo familje dhe për çdo biznes”, ka thënë Hamza.
Ai ka treguar se investimi i përgjithshëm për termocentralin dhe gazpërçuesit nga grantet, buxheti dhe sektori privat do të arrijë në 1 miliard euro gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Çdo lidhje me gaz natyror dhe çdo zgjerim i rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit, Hamza ka thënë se krijon më shumë siguri energjetike dhe më shumë qëndrueshmëri ekonomike për Kosovën.