Hamza: Agresioni në Banjskë ishte prej sulmeve më të mëdha të pasluftës, nderojmë veprën e heroit Afrim Bunjaku

Hamza: Agresioni në Banjskë ishte prej sulmeve më të mëdha të pasluftës, nderojmë veprën e heroit Afrim Bunjaku

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka kujtuar Afrim Bunjakun i cili u vra nga terroristët serbë në sulmin në Banjskë.

Ai ka thënë se agresioni në Banjskë ishte prej sulmeve më të mëdha të pasluftës mbi Republikën e Kosovës, i cili shprehu mirënjohje ndaj KFOR-it që e ndihmuan Kosovën.

Postimi i plotë:

Heronjtë janë gjithnjë të veçantë dhe i tillë është edhe Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës gjatë agresionit në Banjskë, më 24 shtator 2023. Polic i përgjegjshëm, prind i mrekullueshëm, qytetar i devotshëm dhe njeri shumë fisnik.

Sot, një vjet më pas, nderojmë jetën dhe veprën e heroit Afrim Bunjaku dhe vlerësojmë vendosmërinë, guximin dhe shërbimin e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që me këmbëngulje deri në vetëmohim përkushtohen çdo ditë për rend dhe ligj në tërë territorin e Kosovës.

Sot, një vjet më pas, vlerësojmë lart punën e institucioneve të drejtësisë, punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka arritur të grumbullojë mjaftueshëm fakte dhe ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë.

Agresioni në Banjskë ishte prej sulmeve më të mëdha të pasluftës mbi Republikën e Kosovës dhe shprehim mirënjohje edhe për pjesëtarët e KFOR-it dhe të gjitha shtetet partnere, që në forma të ndryshme ndihmuan atë ditë dhe po kontribuojnë vazhdimisht për forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon.

Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i shërbyer atdheut sesa duke iu shërbyer qytetarëve pa dallime, duke e ruajtur rendin publik dhe mbrojtur sovranitetin e Republikës së Kosovës, si shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj.

Shpërndaje në: