Hamiti: Kosova ka ngecur për fajin e kastës aktuale pushtetore
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Ai ka bërë me dije se këto masa do të jenë një njollë në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se më 9 shkurt 2025 qytetarët kanë mundësi ta zgjedhin Qeverinë që e heq Kosovën prej listës së vendeve të sanksionuara.
“Republika e Kosovës po i vuan sanksionet e BE-së tash e 18 muaj, prej qershorit të vitit 2023. Qindra milionë euro të humbura deri tani për projekte që, po të realizoheshin, do ta përmirësonin jetën e qytetarëve të Kosovës. Kështu me gjasë do të jetë deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie të papërgjegjshme të Vetëvendosjes. Më 9 shkurt 2025 qytetarët kanë mundësi ta zgjedhin Qeverinë që e heq Kosovën prej listës së vendeve të sanksionuara, një njollë në reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë, dhe e kthen Kosovën në rrugën integrimeve euro-atlantike, që kanë ngecur për fajin e kastës aktuale pushtetore”, ka shkruar Hamiti.