Hallakamë në Kuvend për buxhetin/ Kurti lavdërohet e bën fushatë, opozita ia përmend 240 milionë eurot e ‘dostave’
Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca plenare ku në rendin e ditës të seancës është shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm.
Pas një kohe të gjatë mungese, kryeministri i vendit, Albin Kurti u shfaq në Kuvend dhe nisi fjalimin duke u krenuar se si është prezantuar herët buxheti i Kosovës.
“Buxhetin për vitin 2022 e kemi prezantuar me 25 nëntor 2021, buxhetin për vitin 2023 e kemi prezantuar më 17 nëntor 2022, bxuhetin për vitin 2024… dhe sot përsëri po e prezantojmë në muajin nëntor. Më i madh buxheti i shtetit secilin vit, aq më i hershëm prezantimi i buxhetit”, deklaroi Kurti.
Ai tha se buxheti për mallra dhe shërbime është 3.2 për qind më i lartë se në vitin paraprak. Sipas tij, për subvencione dhe transfere është 8.6 për qind më i lartë se në vitin paraprak.
Deri më tani, ende s’ka përmendur vdekjen e Musliut në vend të punës, e as përmirësimin e kushteve të ushtarëve të FSK’së në mënyrë që të evitohen angazhimet e dyta për mbulesë financiare.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, ka deklaruar se shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore duhet të shqyrtohet si një dokument i përkohshëm pasi sipas tij, në zgjedhjet e shkurtit Qeveria do të ndryshojë, duke shtuar se buxheti ka shumë mangësi.
Sipas Hotit, Kurti në fjalimin para deputetëve përmendi elementë të caktuar të buxhetit, por pa i përmendur e bëra më herët.
“Besoj se këtë ne duhet ta shqyrtojmë si dokument të përkohshëm, pasi sigurt Qeveria e ardhshme do ta ndryshojë….Në shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe sistemin informatik shëndetësor, asnjë nuk është realizuar. Te privatizimi, rishikimi i privatizimeve, fondi sovran dhe banka zhvillimore…Buxheti gjatë këtij mandati qeverisës 11. 4 miliardë euro, ndikimi në ekonomi dhe shoqëri është pothuajse zero. Kanë ndërruar raportet mes subvencioneve dhe investimet kapitale. Janë rreth 520 milionë euro subvencione. Edhe ato investime kapitale që janë premtuar nuk janë realizuar… kanë qenë të planifikuara 3 miliardë euro, janë realizu vetëm 1.2 miliardë euro”, është shprehur ai.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se qytetarët nuk do t’ia shohin hairin planifikimit buxhetor nga Qeveria Kurti.
“Sot para se të flas për planifikim buxhetor dua të ju them juve që po ju kalojnë katër vite, as edhe një projekt madhor i rëndësishme nuk mbahet mend për këtë kohë që ju udhëhiqeni e që së paku qytetaret të ndiheshin krenar. Humbja më e madhe po u bëhet bizneseve, financave, diplomacisë por më së shumit po i bëhet Kosovës. Ky është një planifikim buxhetor i cili nuk ndikon as gjë, një planifikim i cili ky shtet dhe ky popull nuk i sheh kurrfarë hajri”.
“E kemi parë që çdo planifikim i kësaj qeveri ka qenë i dobët. Buxheti i shtetit nuk është hajgare, nëse nuk hartohet siç duhet do ta përkeqësoj gjendje deri në ekstre ashtu siç pritet edhe të ndodh. Tash e katër vite kemi buxhet të mbijetesës dhe aspak zhvillimor. Në këtë projektligj parashihet se do të ketë rritje të buxhetit të shtetit, por duhet të theksojmë që çdo vit ka pasur rritje ekonomike këto 10 vitet e fundit. Qytetarit i jepet lëmosh për të”, tha Lushtaku.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se ministri i Financave, Hekuran Murati, duhet të tregojë pse 80.000 njerëzve nuk ua ka rritur koeficientin e pagave, duke u shprehur se në të kaluarën partia aktuale në pushtet kishte premtuar rritje të pagave e pensioneve.
Tahiri ka akuzuar Qeverinë se ua ka ndarë ‘dostave’ të saj 240 milionë euro nëpërmjet tenderëve njëburimorë.
“Po është rritur ekonomia, është e vërtetë. 240 milionë euro ua keni dhënë dostave të juve përmes tenderëve njëburimor. Kam pasur shumë besim në këtë projektin ‘Superpuna’, më ka pëlqyer si projekt. Ky jo që është ‘Superpuna’, por është superdështim. Punësimi është rritur, por jo në Kosovë. Është rritur në diasporë”, është shprehur ai.
Shefi i GP të AAK-së ka kërkuar nga Qeveria që t’i përmendë pesë persona që janë kthyer nga diaspora në Kosovë.