Haliti i bindur: Ndërkombëtarët janë të përgatitur që në momentin kur të hapet ura e Ibrit, ta mbyllin

Haliti i bindur: Ndërkombëtarët janë të përgatitur që në momentin kur të hapet ura e Ibrit, ta mbyllin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka deklaruar se në bazë të informatave që ai posedon, ura mbi lumin Ibër, pasi të jetë hapur nga Qeveria e Kosovës, do të mbyllet nga KFOR-i dhe ndërkombëtarët.

Në kuadër të kësaj, Haliti tha se Kosova nuk duhet të vihet në atë pozitë.

“Nga të dhënat e mia që i kam dhe besoj që asnjëherë nuk më kanë dal ndryshe është që KFOR-i dhe ndërkombëtarët janë të përgatitur që në momentin që të hapet ura me mbyll ata. Tani, kush është i zoti me luftu me ta le ta hap. Nuk është mirë me pru vetën në atë pozitë të tillë”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në tëvë1.

Tutje, ai deklaroi se çështjet e brendshme të Mitrovicës duhet të diskutohen me serbët lokalë dhe jo në Beograd.

“E mira të mirës është me bisedu me serbët në veri se ata janë pengesa kryesore. Problemi duhet të kalojë në Mitrovicë e jo të flitet me Beogradin për Mitrovicën se Mitrovica është e jona. Por, me qenë se po diskutohet për shumë çështje të Kosovës në Bruksel edhe kjo pse diskutohet për modalitet e hapjes nuk prish punë”, tha ai.

Shpërndaje në: