Haliti e demanton Vincën: Thaçi në ’99 s’shkoi te Kadare për t’i kërkuar mbrojtje për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, por për ta falënderuar
Xhavit Haliti, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, foli për Ismail Kadarenë, shkrimtarin e madh shqiptar që vdiq të hënën, ndërsa demantoi një deklaratë të shkrimtarit Agim Vinca.
Vinca tha të hënën në Frontal në T7 se se Hashim Thaçi, i cili më 1999 kryesonte delegacionit kosovar në Konferencën e Ramubujesë që mbahej në Francë me qëllimin e vendosjes së paqes në Kosovë, kishte shkuar në shtëpinë e Ismail Kadaresë në Paris për të kërkuar mbrojtje nga shkrimtari para nënshkrimit të Marrëveshjes për paqe.
Por Haliti tha se nuk ka qenë ashtu. Ai tha se Thaçi kishte shkuar për ta falënderuar Kadarenë për qëndrimin publik pro nënshkrimit të asaj marrëveshjeje.
“Ismail Kadare doli me qëndrim publik për ta nënshkruar marrëveshjen. Me siguri që kishte edhe kontaktet e tij, linjat e tij ishin ato që i ka pasë. Zoti Thaçi shkoi për të pirë kafe në shtëpinë e Kadaresë nga vendi ku ishim të vendosur. Dhe shkoi në shenjë falënderimi, jo për ta lutur për të na shpëtuar nga nënshkrimi, siç po lexoj që disa kanë dëshirë kështu vetëm të vajtojnë dhe të mos marrin atë që është. Ai shkoi në emër të delegacionit që ta falënderonte për qëndrimin dhe mbështetjen që ia ka bërë Kadare delegacionit dhe angazhimin e tij në qarqet e intelektualëve dhe të politikanëve në Francë dhe më gjerë”, tha Haliti në Euronews Albania.
Haliti, që ishte edhe vetë anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, tha se “nuk ishte lehtë”.
“Kemi pasë një reagim do të thoja jo të vogël kundër delegacionit që të mos e nënshkruante marrëveshjen. Bile jemi akuzuar gjatë qëndrimit në Rambuje për tradhti, çfarë s’ka ndodh aty. Më kujtohet kur dikush, një protagonist që s’dua t’ia përmend emrin, u lidhëm me telefon dhe i thashë ne duhet ta nënshkruajmë marrëveshjen sepse nuk humbin kurrgjë, shohim çfarë fitojmë pastaj. Dhe ishte një përgjigje, tha ‘në qoftë se ju nënshkruani, mos dilni nga Rambujeja, qëndroni aty’. Këso kërcënimesh ka pasë shumë”, tha Haliti.
Ai tha se fjala e Kadaresë “ka pasur peshë shumë më të madhe sesa e disa të tjerëve”. “Fjala e Kadaresë është dhe ka qenë gjithmonë fjalë që, siç thotë populli, zë vend”.