Hajni i 208 mijë bicikllave në Kosovë
Aktivistët e moçëm të Vetëvendosjes e njohin Antonio Riccin, kryepersonazhin e filmit “Hajni i Bicikllës” (Ital. “Ladri di Biciclette) nga Vittorio De Sica. Ai ishte një tjetër frymëzim për aktivizmin e tyre politik për barazi e drejtësi. Por, si ka mundësi që të mos e njohin asnjë prej 208 mijë kosovarëve që ndajnë hallin e ngjashëm me të?
Antonio Ricci ishte një i papunë në Italinë e pas Luftës së II Botërore. Si shumë të tjerë, me dëshpërim të madh ishte në kërkim të një pune. Kur e gjen, fare rastësisht, punëdhënësi i kërkon që ta bëj një sakrificë të madhe për buxhetin e tij: ta blejë një bicikëll. E blen. Sidoqoftë, menjëherë më pas bicikllën ia vjedhin dhe mundësia e tij për mbajtjen e punës humbet. Kështu, ai nis përpjekjen për gjetjen e hajnit dhe të bicikllës – por krejt në fund mëson që hajni nuk është thjesht hajni i përveçëm që kreu aktin e vjedhjes, por e gjithë mëhalla e hajnit e tëkequr moralisht nga varfëria. E krejt krejt në fund, pasi nuk arrin ta marrë bicikllën e tij i sulmuar nga mëhalla e hajnit, Antonio provon me e vjedhë një bicikëll. Pra, edhe vet bëhet hajn.
Sipas Byrosë së Sigurimeve (BKS) gjatë vitit të kaluar në Kosovë ishin 208 mijë kerre të paregjistruara. Qeveria po e lexon këtë rrethanë me një gjakftohtësi të rëndomtë burokratike siç shihet nga kontrata e nënshkruar për tiketat ngjitëse. Në anën tjetër, Opozita po e lexon me një gjaknxehtësi po aq të rëndomtë që e thjeshton deri në absurd duke e ndërmend varfërinë ekstreme dhe duke e përmend një zhvatje prej Qeverisë nga pesë euro në vit për ato tiketa. Megjithatë dikush po e lexon rrethanën bash qysh duhet: do institucione mikrofinanciare.
“Merr kredi për me regjistru kerrin” – është oferta e këtyre institucioneve që duan t’i rrasin hundtë për me nxjerr përfitime (interesi vjetor është 10 për qind) në një treg të madh me 200 mijë njerëz. Nëse 200 mijë qytetarë do të marrin kredi nga 300 euro mesatarisht (kredia që ofrohet është 200 deri në 500) atëherë veç nga interesi i kësaj kredie këto institucione mikrofinanciare do t’i nxirrnin 6 milionë euro në vit. Në rast të numrit 100 mijë, atëherë fitimi do të ishte 3 milionë. Në rast të numrit 50 mijë, atëherë fitimi do të ishte 1.5 milion. Thënë më thjesht, këto institucione do t’i fitojnë milionat nga xhepi i qytetarëve veç nga interesi i veç kësaj kredie, pra veç pse qytetarët nuk i kanë paratë për regjistrimin e kerreve kur u skadon afati. Dhe këto fitime duken të garantuara pas nënshkrimit të kontratës për tiketat ngjitëse që hyn në fuqi prej 1 shtatorit. Qysh thotë James Baldwin, kushton tepër shtrenjtë me qenë i varfër.
T’i mëshosh shkelm varfërisë
208 mijë kerret pa regjistrim do të duhej ta çthjeshtonin imagjinatën kolektive mbi varfërinë. Madje, do të duhej ta çjerrnin krejt atë imagjinatë për t’i lëshuar vend fakultetit të arsyes ku do të mjaftonte që thjesht të procesohej realiteti i dhënë. Cili është ky realitet? Varfëria nuk është një gjendje ekonomike një-dimensionale. Një kosovar mund të ishte i varfër në shkurt 2018, jo i varfër në nëntor 2019 dhe përsëri i varfër në qershor 2020 sepse mund të ishte pa punë në shkurt 2018, me punë në nëntor 2019 dhe përsëri pa punë në qershor 2020. Kjo varfëri nuk duhet kuptuar thjesht me mungesën e gjërave elementare. E tillë është varfëria ekstreme – nga e cila për fat të keq vazhdon të lëngojë një pjesë e madhe e qytetarëve. Sidoqoftë, te rasti i 208 mijë kerreve pa regjistrim varfëria ekstreme nuk është pjesëmarrëse meqë qytetarët skajshëm të varfër nuk kanë kerre. Pra, po flasim për një varfëri tjetër, një varfëri me karakter më të luhatshëm, me një varfëri që është e fshehur dhe që godet në periudha të caktuara edhe njerëz me të ardhura mbi-mesatare.
Pra, bankat që po ofrojnë një shtrëngim shtesë financiar po e kuptojnë se këta kosovarë janë të lidhur me vargonjtë e shtrëngesave tjera financiare e të cilat i pamundësojnë që në atë kohë të vitit kur del afati i regjistrimit të kerrit t’i kenë në kuletë ato qindra euro për regjistrim. Po kuptojnë po ashtu se sa fragjile është një pjesë shumë e madhe e ekonomive familjare në Kosovë, e të cilat mund të vuajnë nga varfëria episodike e lartpërmendur. Një pjesë qytetarësh varet nga dërgesat që bëjnë familjarët në diasporë, e të cilat mund të mos jenë as të parashikueshme e as të qëndrueshme por të varen krejtësisht nga rrebet e këtyre familjarëve. Një pjesë tjetër është viktimë e një tregu tepër të pasigurt të punës. Një pjesë punojnë në punë të përkohshme. Një pjesë mbesin krejt pa punë. Një pjesë tjetër kanë harxhuar shumë në mjekimin e ndonjë familjari. E kështu me radhë. Përmbledhësi i gjithë kësaj është pamundësia e planifikimit të të hyrave dhe paperspektiva e plotë ekonomike e cila jo domosdo mund të quhet varfëri.
Filmin “Hajni i Bicikllës” mund ta ketë parë edhe Hysen Durmishi që e nënshkroi kontratën për tiketat ngjitëse. Edhe ai mund të ketë ndjerë dhembshuri për Antonion që mbetet pa bicikëll dhe pa punë. Nuk e besoj që dikush në Kosovë beson që kerret e shtrenjta nuk regjistrohen. Ose që regjistrimi nuk bëhet për çështje tekesh apo dembelie. Mos të harrojmë që këta njerëz sa herë dalin në rrugë i ekspozohen rrezikut për dënime të rënda nga policia. Dhe nuk e besoj që dikush seriozisht e sheh kerrin si luks. Kjo do të ishte e njëjta logjikë me atë të Isa Mustafës që në vitin 2015 si kryeministër kur po iknin shumë të rinj prej Kosovës i akuzoi ata se “kishin ajfona”.
Këtu nuk ka kurrfarë shkence raketore. Mos-regjistrimi i 208 mijë kerreve ka të bëj me pasigurinë ekonomike, shtrëngimet financiare dhe me mungesën e perspektivës që e pamundëson planifikimin e buxhetit familjar. Pse Hysen Durmishi nuk po pret disa vjet derisa të përmirësohet ekonomia, të ulet pabarazia dhe të rritet prodhimi për me i vendos më pas tiketat ngjitëse? Fundja, këto i kanë premtu. Por, duket që Hyseni me Liburnin dhe Albinin po e kuptojnë fjalëpërfjalshëm frazën “me i mëshu shkelm varfërisë”. Kjo frazë s’nënkupton me i qepu përnjëmend shkelm varfërisë qysh i qepoi Tomë Gashi lëmoshës së një varfanjaku në qendër të Prishtinës. Nënkupton në fakt, me i nxjerrë njerëzit prej kësaj pasigurie të madhe ekonomike.