Hajnat e veturave kanë gjetur një mënyrë shumë dinake për të vjedhur Ferrari
Të gjithë ata që kanë Ferrari dhe vetura tjera të shtrenjta, duhet të kenë shumë kujdes.
Forcat e rendit në Afrikën e Jugut, janë duke u marrë me një grup kriminal, që shënjestër i kanë makinat e reja nga Ferrari, transmeton Telegrafi.
Ata po shfrytëzojnë një mënyrë sa të lehtë aq edhe dinake, që të vjedhin këto makina të çmueshme.
Zyrtarë nga Ferrari, kanë bërë të ditur se një llogari që po bën xhiro në Facebook, nuk është në pronësi të tyre dhe derisa po vazhdon të jetë e hapur, mund të jetë duke kryer vjedhje të ndryshme.
Nëpërmjet kësaj llogarie, ata po paraqiten si zyrtarë nga Ferrari dhe po i kontaktojnë personalisht pronarët që kanë makina të tilla, për t’i njoftuar për një përditësim të ri. Duke menduar se gjithçka është në rregull, ata po bien në kurth të këtyre hajnave.
Në shtëpitë e tyre, të nesërme janë paraqitur makinat për transportimin e veturave, të mbështjella me logot që dukeshin origjinale.
Atyre iu janë prezantuar edhe dokumentet që dukeshin si zyrtare, që pronari të nënshkruajë dhe ta dorëzojë veturën. Me të kryer krimin, veturës i është larguar sistemi GPS dhe të rënit në gjurmë të saj, është bërë e pamundur.
Një Ferrari 812 Superfast, që u vodh dhe u dërgua në Mozambikun fqinj, ku iu larguan të gjitha pjesët, ka qenë ndër të parat që u lajmërua si e vjedhur.
“Qendra kryesore e Ferrarit nuk e thërret askënd personalisht, për të njoftuar për përditësime të reja, apo se ndonjë lloj i veturave duhet të kthehet prapa. Mos bini pre e mashtruesve, që iu thërrasin, kinse për t’ju ndihmuar”, thuhet në reagimin që ka bërë Ferrari.
Raportohet se nuk janë vetëm veturat nga Ferrari, që kanë qenë pre e këtij mashtrimi, pasi njëjtë janë keqpërdorur edhe disa makina nga Audi dhe Toyota.
Deri më tani, autoritetet e sigurisë në Afrikën e Jugut, nuk kanë rënë në gjurmë të këtyre hajnave, ndërsa ka rrezik se ata mund të jenë duke bërë mashtrime të ngjashme dhe më tutje.