Hajdar Beqa: Në dy qendra të votimit në Gjakovë ka dyshim të bazuar se ka ndodhur “Treni Bullgar”
![Hajdar Beqa: Në dy qendra të votimit në Gjakovë ka dyshim të bazuar se ka ndodhur “Treni Bullgar”](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2024/05/hajdar-beqa-659x439-1.webp)
Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, Hajdar Beqa, përmes një postimi në Facebook ka pretenduar se në dy Qendra të Votimit në Gjakovë ka ndodhur fenomeni i “Trenit Bullgar”, ku sipas tij rezulton të jetë e mbivotuar partia në pushtet.
Beqa ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të merren me trajtimin e këtij rasti.
“Sipas raporteve të vëzhguesve të zgjedhjeve nga subjekti ynë, ekziston dyshimi i bazuar që se paku ne dy Qendra te Votimit njëra ne shkollën “Zekeria Rexha” dhe tjetra në shkollën “Fehmi Agani” në Gjakovë, ka ndodhur fenomeni i “Trenit Bullgar”, nga ku rezulton të jetë e mbivotuar partia në pushtet. Ftojmë organet e drejtësisë që të merren me trajtimin e këtij rasti, dhe presim që shkelsëit e ligjit zgjedhor të ballafaqohen me sanksionin penal që prasheh Kodi”, u shpreh Beqa.
Kujtojmë se “Treni bullgar”, për herë të parë është përdorur në Bullgari në vitin 2007 si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve.
Kjo do të thotë që votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër.