Hagë – Dëshmitari i 70-të e vazhdon dëshminë në seancë të mbyllur në Speciale

Hagë – Dëshmitari i 70-të e vazhdon dëshminë në seancë të mbyllur në Speciale

Dëshmitari i 70-të është duke e vazhduar dëshminë në seancë të mbyllur në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ngjashëm sikurse të hënën.

Sipas përmbledhjes që është lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace, të hënën është thënë se dëshmitari ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe i cili pretendon se është ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur.

“Dëshmitari 03170 ishte një anëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, dëshmitari 03170, duart e tij dhe duart e një personi tjetër u lidhën dhe ata janë kërcënuar dhe janë rrahur”, deklaroi Pace.

Deklaratat që ka dhënë dëshmitari më herët për ZPS-në, u pranuan si prova materiale.

Të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndjekë seancën përmes video-lidhjes.

Seanca në pjesën më të madhe është duke u mbajtur e mbyllur, ashtu sic kishte thënë zëdhënësi i DhSK-së, Christophet Bennett.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar një parashtrim përmes të cilit ka njoftuar panelin e trupit gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk do të mbështetet në dëshminë e 10 dëshmitarëve.

Prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 69 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm. /AP/

Shpërndaje në: