HAGË – Dëshmitari Fondaj kërkon avokat: Mendoj se jam keqpërdor
Pas rikthimit të tij në sallën e gjyqit të mërkurën, për ta vazhduar dëshminë që e nisi të hënën, dëshmitari Kurtesh Fondaj deklaroi se është keqpërdorur, me ç’rast kërkoi edhe një avokat për mbështetje.
“Unë dje pasdite i kam pa në incizimet që janë prezantu nga gjykata dhe i kam përcjellë me vëmendje dhe sidomos marrja në pyetje nga gjyqtari më ka ba me mendu që me kërku një avokat, respektivisht për një mbështetje nga një avokat se po mendoj se jam keqpërdor”, tha dëshmitari.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III e pyeti dëshmitarin nëse e ka bërë një kërkesë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Po e kërkoj prej juve të ma ofroni ndihmën e një avokati”, u përgjigj dëshmitari Fondaj.
Më pas, seanca kaloi në pushim për pesë minuta për shkak të kërkesës së dëshmitarit.
Ndryshe, Charles Smith III njoftoi se të hënën seanca do të fillojë nga ora 10:00 dhe jo si në orarin e zakonshëm. Ndërsa, i kërkoi ZPS-së shpjegime për dëshmitarin me kodin 04444.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.