Gurët në veshka, llojet e tyre dhe rreziku që u sjellin veshkave
Gurët zakonisht eliminohen nga trupi nëpërmjet fluksit urinar dhe në shumë raste nuk kanë shenja klinike, ndërsa në rastet kur gurët janë të përmasave më të rritura, deri në 2-3 mm, mund të bllokojnë ureterin, duke u shoqëruar me zgjerim të pjesës së sipërme të ureterit dhe pelvisit renal (pjesa e veshkës ku grumbullohet urina para se të hyjë në uretër) dhe me spazma të muskulaturës së ureterit si reagim normal për eliminimin e pengesës
Flet për “Mapo” Ariana Strakosha, doktoreshë nefrologe në QSU, Tiranë
Gurët në veshka, një shqetësim që mbase shumë persona e vuajnë në heshtje pa e ditur. Mirëpo rreziku i këtij çrregullimi ekziston te pasojat që mund të sjellë te veshkat dhe në të gjithë organizmin. Në një intervistë për “Mapo”, Ariana Strakosha, doktoreshë nefrologe në QSU “Nënë Tereza” Tiranë, shpjegon formimin e gurëve në veshka, llojet e tyre dhe rrezikun për dëmtimet që u sjellin veshkave në rast të mosmjekimit të tyre.
Çfarë janë gurët në veshka apo Nefrolitiaza?
Termi gurët në veshka e ka origjinën qe nga greqishtja e lashtë εϕρός- nephros (veshka) dhe λιθος- lithos (gurë). Terminologjia nënkupton praninë e gurëve në veshka, termi ureterolitiazis nënkupton praninë e gurëve në ureter, tuba që lidhin veshkën me vezikën urinare, ndërsa termi urolitiasis nënkupton praninë e gurëve në traktin urinar duke inkluduar dhe vezikën urinare. Gurët janë koncentrate solide apo agregate kristalesh të formuara në veshka nga mineralet urinare të patretura. Gurët zakonisht eliminohen nga trupi nëpërmjet fluksit urinar dhe në shumë raste nuk kanë shenja klinike, ndërsa në rastet kur gurët janë të përmasave më të rritura deri në 2-3 mm mund të bllokojnë ureterin duke u shoqëruar me zgjerim të pjesës së sipërme të ureterit dhe pelvisit renal (pjesa e veshkës ku grumbullohet urina para se të hyjë në uretër) dhe me spazma të muskulaturës së ureterit si reagim normal për eliminimin e pengesës. Kjo shoqërohet me dhimbje mesi, të cilat përhapen në pjesën e poshtme të barkut dhe rrëzë kofshës. Kjo situatë quhet colika renale. Colika renale shoqërohet gjithashtu me ndjenjën e të vjellit ose të vjella. Gjatë urinimit mund të kemi dhe ndryshim të ngjyrës së urinës si pasojë e fenomeneve hemorragjike nga dëmtimet që i bën guri strukturave të ureterit.
Cilat janë shenjat dhe simptomat e kolikës renale?
Këto shenja janë dhimbjet e forta të përhapura nga mesi deri në rrëzë të kofshës shpesh të përshkruara si eksperienca më e keqe e përjetuar ndonjëherë. Të vjellat apo ndjenja e të vjellës si pasojë e stimulimit të zonës përkatëse. Hematuria siç janë gjaku në urinë, si pasojë e dëmtimeve të vogla të mureve të brendshme të strukturave të veshkave, ureterit apo uretrës. Pus në urinë, djegie gjatë urinimit si pasojë e kalkulit apo infeksionit. Oliguria, reduktimi i sasisë së urinës nga guri i vendosur në rrugët urinare. Hydronefroza; zgjerimi dhe tendosja e mureve të pelvisit renal apo uretereve.
A janë të njëjtë gurët e veshkave?
Ekzistojnë disa tipe të gurëve të veshkave bazuar në llojin e kristaleve prej të cilave janë formuar. Pjesën më të madhe e përbëjnë gurët prej oksalateve dhe kalciumit ndjekur nga gurët e përzier me fosfatet (gurët fosfokalcike). Më të rrallë janë gurët struvite të favorizuar nga infeksionet e traktit urinar dhe gurët e acidit uric të favorizuar nga çrregullimet metabolike të organizmit. Formimi i gurëve në veshka nuk ka një shkak të vetëm por është pasojë e kombinimit të një sërë faktorësh. Gurët krijohen kur prishen balancat urinare të kombinimit të mineraleve dhe acideve. Kur urina përmban më shumë substanca kristal-formuese sesa komponent antiagregues, kristalet arrijnë të formojnë gurët në traktin urinar.
Gurët prej oksalatit të kalciumit dhe fosfokalcike
75% – 80% e të gjithë gurëve të traktit urinar janë të përbërë nga kalciumi kimikisht i përzier me oksalatet (duke formuar gurët oksalate të kalciumit) ose me fosfatet (duke formuar gurët fosfo-kalcikë). Gurët apo kristalet e oksalatit të kalciumit mund të krijohen nën kushtet e disa sëmundjeve metabolike si acidoza tubulare renale, hyperparatiroidizmi, hyperoksalaturia primare, veshka sfungjer. Gjithashtu gurët janë të pranishëm dhe te pacientët me sëmundjen Crohn. Shpeshherë mund të vijë edhe nga përdorimi i disa medikamenteve të caktuara si antiacidet dhe steroidet. Dieta është një faktor tjetër që mund të ndikojë. Dozat e larta të vitaminës A, D dhe purinave (që nuk janë gjë tjetër veç produkt të tretjes së proteinave në organizëm) mund të ndikojnë në këto nivele anormale të kalciumit në organizëm. Ka edhe disa raste të veçanta, të cilat mund të ndikojnë në formimin e gurëve. Studimet e fundit kanë treguar se nëse në dietën tuaj ka shumë pak kalcium apo edhe nëse trupi juaj prodhon tepër oksalate, ju mund të gjendeni në rrezik. Kjo lidhet me rolin e kalciumit si lidhës i oksalateve të patretura në traktin gastrointestinal. Në këto kushte marrjet e pakta të kalciumit shoqërohen me sasi më të rritura të oksalateve në gjak; këto oksalate ekskretohen në sasi më të mëdha në urinë nëpërmjet veshkave. Në urinë oksalatet janë promotorë të fuqishëm të precipitimit të kristaleve të oksalateve të kalciumit, rreth15 herë më të fuqishme se kalciumi. Doza të larta të Vitaminës C (më shumë se 1000 mg) rrisin nivelin e oksalateve në urinën tuaj.
Gurët struvite
10-15% e rasteve me gurë në veshka vijnë si pasojë e një infeksioni kronik në traktin urinar. Gurët strivitë formohen si pasojë e rritjes së baktereve, të cilat me përbërjet e tyre neutralizojnë aciditetin e urinës që përbën një faktor frenues të zhvillimit të tyre. Meqenëse gratë janë më të prira në zhvillimin e infeksioneve urinare, ato kanë rrezikun më të lartë për të formuar gurë të tillë. Trajtimi i tyre konsiston jo vetëm në heqjen e gurëve, por edhe në parandalimin e rishfaqjeve të infeksionit.
Gurët e acidit urik
10% e gurëve të veshkave përmbajnë acid urik, një produkt të formuar nga metabolizmi i trupit. Zakonisht, acidi urik kalon nga gjaku për në veshka, ku eliminohet me urinë. Nëse trupi prodhon mbi sasinë normale, veshkat e kanë të pamundur të eliminojnë të gjithin duke bërë të mundur kështu kristalizimin e tij në depozita. Faktorët që ndikojnë në këtë proces janë gjenetikë, mund të varen nga disa gjendje të caktuara patologjike të traktit tretës, obeziteti, marrja e disa medikamenteve të caktuara si dhe dieta e pasur me mish organik. Meshkujt janë më të prirur të zhvillojnë këto lloj gurësh pasi kanë probabilitet më të madh për të vuajtur nga podagra (një sëmundje reumatizmale që shoqërohet me rritjen e acidit urik në gjak).
Gurët cistinikë
Cistina është një aminoacid i cili gjendet në përbërjen e proteinave. Ajo merr pjesë në formimin e muskujve, nervave dhe pjesëve të tjera të trupit. Disa individë zhvillojnë një sëmundje të rrallë metabolike të quajtur cistinuri, e cila ndikon në formimin e gurëve cistinikë, që për nga shpeshtësia e formimit radhiten nga fundi. Gurët cistinikë formohen pasi veshka është e paaftë të bëjë ripërthithjen e aminoacidit cisteinë. Si rrjedhim, kjo e fundit grumbullohet në urinë për të formuar kristalet e cistinës. Këta lloj gurësh janë shumë të vështirë për t’u trajtuar dhe kërkojnë një terapi, e cila zgjat në kohë.
A mundet që gurët të dëmtojnë veshkat?
Nëse nuk mjekohen në kohë, gurët mund të dëmtojnë seriozisht veshkën. Dy faktorët që përcaktojnë ecurinë e këtij dëmtimi janë lokalizimi i gurit dhe prania e infeksionit urinar. Për të shmangur dhe minimizuar një efekt të tillë e rëndësishme është eliminimi i gurëve të formuar dhe parandalimi i riformimit të të tjerëve.