Guardiola pyetet për Lewandowskin, jep ‘përgjigje me dy teha’
Nuk mund të mungonte një pyetje që lidhet me Robert Lewandowskin, për Pep Guardiolan.
Trajneri i Manchester City është pyetur lidhur me zërat e fundit që lidhin polakun me një largim nga Bayern Munich, dhe përgjigja e tij ishte mjaft e mjegullt.
Guardiola refuzoi të hidhte gjithçka poshtë, ndonëse tha fillimisht se Lewa është lojtar i Bayern dhe nuk largohet nga atje.
“Pyetja tjetër. Lewy është një lojtar shumë i rëndësishëm për Bayernin dhe ai do të qëndrojë te Bayerni”, ka thënë Guardiola fillimisht, përcjell Periskopi.
“Nuk do të flas për merkaton. Askush nuk e di”, ishte fjalia e fundit e Pep për pyetjen lidhur me sulmuesin polak, dhe kjo përgjigje lë të kuptohet se mund të ketë ndonjë shans që City lëviz drejt Lewas.
Lewandowski e ka nisur në mënyrë perfekte sezonin e ri me Bayern Munich, duke gjetur dy gola në finalen e Superkupës ndaj Dortmund. /Periskopi/