Guardiola plas nga inati: Të gjithë në Angli edhe mediat përkrahin Liverpoolin
Në një intervistë pas ndeshjes, trajneri i Cityt Pep Guardiola tha se të gjithë në Angli përfshirë edhe mediat përkrahin Liverpoolin.
Liverpooli ka lëshuar pikë në takimin e tyre me Tottenhamin, ku u mbyll me rezultatin 1:1, shkruan Periskopi.
Ndërkaq, City aktualisht është tre pikë para “The Reds” ku janë shumë afër titullit të radhës në Premierligë.
Guardiola tha se gjithë Anglia përkrah Liverpoolin edhe pse ata kanë fituat titullin një herë në 30 vitet e fundit.
“Të gjithë në këtë vend mbështesin Liverpoolin, mediat dhe të gjithë”, tha ish-trajneri i Barcelonës për beIN Sports.
“Sigurisht sepse Liverpooli ka një histori të jashtëzakonshme në garat evropiane – jo në Premier League, sepse ata e kanë fituar një në 30 vjet – por nuk është aspak problem.
“Situata është kjo që është.
“Ne duhet të marrim nëntë pikë ose ndoshta gjashtë tani, varet se çfarë do të ndodhë në dy ndeshjet e ardhshme për sa i përket gol diferencës, por tani e mërkura është finalja e vërtetë, e vërtetë për ne.
“Ne do të përpiqemi të fitojmë atje. Fati ynë është në duart tona dhe kjo është e rëndësishme. Ne duhet të shikojmë veten. Me një pikë ose tre pikë, asgjë nuk ka ndryshuar. Ne duhet ta bëjmë atë”, tha Guardiola.