Guardiola: Nder për ne që të jemi rivalë me Liverpool, Klopp më ka bërë trajner më të mirë

Guardiola: Nder për ne që të jemi rivalë me Liverpool, Klopp më ka bërë trajner më të mirë

Pep Guardiola ka dhënë disa komente lidhur me ndeshjen që skuadra e tij e luan në vikend, ndaj Liverpool.

Trajneri spanjoll ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e radhës, të cilin në katër vitet e fundit e kishte rivalin më të vështirë.

Sipas Guardiolas, është nder për skuadrën e Manchester City që të konsiderohet rivalë të ‘Reds’.

“Për ne, është një nder të jemi rivalë me Liverpool. Dekada më parë, ne nuk ishim rivalë me ta. Për vite, ne provuam të garojmë me klube legjendare, kështu që është nder për ne. Shpresoj që edhe për ta”, ka thënë Guardiola, transmeton Periskopi.

Po ashtu, ai ka folur edhe për Klopp, për të cilin tha se e ndihmoi të ishte trajner më i mirë.

“Ka disa trajnerë të shkëlqyer dhe Jurgen Klopp është një nga ta. Kemi pasur disa gara mes vete. Secila ndeshje ishte e mirë, të dy skuadrat kanë idetë e njëjta, të shënojnë në mënyra të ndryshme. Ai më ndihmoi mua, ndihmoi skuadrat e tij të jenë më të mira dhe më ndihmoi të jem trajner më i mirë. Ai më ngriti në nivele të reja të mendimit, dëshmimit. Ai është arsyeja pse jam akoma trajner”, ka shtuar Guardiola.

City dhe Liverpool përballen të dielën, me fillim nga ora 17:30. /Periskopi/

Shpërndaje në: