Guardiola “i lënduar” flet për gjasat e Cityt për ta eliminuar Realin

Guardiola “i lënduar” flet për gjasat e Cityt për ta eliminuar Realin

Një humbje që ndoshta e priste Pep Guardiola, sepse kur e ke përballë Real Madridin, është e mundshme gjithçka.

E në fakt, në harkun e tetë minutave, Carlo Ancelotti dhe “banda e tij” ia dolën ta përmbysnin Manchester Cityn për ta siguruar një fitore të madhe në “Etihad Stadium”, në ndeshjen e parë të “play-off”-it në Ligën e Kampionëve.

Kjo ishte një goditje e rëndë për “Citizens”, të cilët po kalojnë nëpër momentet më të vështira të viteve të fundit, shkruan “Gazeta Express”.

“Ka ndodhur shpesh, nëse ndodh diçka shumë herë është sepse nuk po arrij ta gjej një zgjidhje. Ishte viti kur Real Madridi ishte më i mirë, e kishim një rezultat të mirë në minutat e fundit dhe e lëshuam nga duart. E gjetëm penalltinë (të cilën e shndërroi në gol Haaland), ndeshja ishte e ekuilibruar, ata kishin raste më shumë se kurrë më parë këtu në Etihad. Kur ishim në gjendje të krijonim dhe të bënim shumë më tepër, kundërshtari e ndryshoi gjendjen. Nuk ua bëmë dhuratë, edhe pse duket se Reali nuk bëri asgjë”, u shpreh trajneri spanjoll për “Movistar”.

Ai foli edhe për gabimet në mbrojtje, posaçërisht tek goli i Jude Bellinghamit në minutat shtesë.

“Ata ishin më të mirë me topin, ne ishim paksa në ankth. Janë gjëra që kanë ndodhur shpesh gjatë këtij sezoni. Do të mundohemi ta përmbysim rezultatin, psikologjikisht është e vështirë. Na presin ndeshje të vështira dhe do të udhëtojmë për në Madrid. Do të mundohemi të rregullojmë diçka që të kemi më shumë lojë dhe për të kaluar tutje (në të tetën e finales)”, përfundoi Guardiola.

Ekipi që do të tregohet më i suksesshëm në duelin e dyfishtë do të kualifikohet në çerekfinale të Championsit.

Shpërndaje në: