Grubi cilëson Kurtin si argat të Mickoskit: Ktheu shqiptarët 30 vjet pas, po cënohet marrëveshja e Ohrit nga lufta e UÇK-së

Grubi cilëson Kurtin si argat të Mickoskit: Ktheu shqiptarët 30 vjet pas, po cënohet marrëveshja e Ohrit nga lufta e UÇK-së

Reagime të ashpra kanë ndodhur gjatë ditës së ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili, të hënën, pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua në Prishtinë, tha se në Maqedoninë e Veriut “nuk ekziston ligj për përdorimin e gjuhës shqipe”, shkruan Periskopi.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi u shpreh ashpër ndaj Kurtit pasi thotë se kreu i VV-së ka ‘gisht’ në kthimin e shqiptarëve pas ndër vite.

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, në një përgjigje për Periskopin u shpreh se Kurti në një formë ose tjetër ia ka bërë ‘argatin’ homologut të tij maqedonas.

”Fatkeqësisht, hise në këtë proces që ka kthyer shqiptarët pas për 30 vite, ka edhe kryeministri Kurti, ndërsa me deklaratën e djeshme e vulosi dhe legjitimoi përpjekjet e politikanëve maqedonas për t’ia “kthyer” Maqedoninë maqedonasve nga shqiptarët si dhe inkurajoi publikisht, në formën më të papranueshme të mundshme kombëtarisht, Gjykatën kushtetuese që ta shfuqizon gjuhën shqipe për t’i shërbyer vazalëve qeverisës duke relativizuar këtë akt që cënon luftën e vitit 2001 dhe gjakun e dëshmorëve të kombit, por edhe të gjeneratave të tëra të veprimtarëve ndër dekada”, u shpreh ai.

Grubi nga BDI shtoi se të arriturat kombëtare nga Marrëveshja e Ohrit në vitin 2001, po hidhen poshtë.

”Të gjitha të arriturat kombëtare si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit nga lufta e UÇKsë në vitin 2001, po cënohen, si legjitimiteti zgjedhor, vota shqiptare, si gjuha, si flamuri, si përkatësia etnike, si përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në administratë dhe institucione, etj.

Sot në qeveri janë ata që kanë humbur zgjedhjet, edhe presidenciale, edhe parlamentare, por janë të parapëlqyerit e VMRO DPMNEsë dhe si vazal të tyre po i shërbejnë zhbërjes së të arriturave kombëtare”, u shpreha ia.

Në fund, Grubi u shpreh se përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut garantohet me Kushtetutë dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

”Kushtetuta, por edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e përcakton gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së veriut.

Ky ligj kishte rrugëtim të vështirë, por përfundimisht e arriti qëllimin për zyrtarizim të gjuhës shqipe në nivel qëndror.

Kur kryesoja mbledhjet e qeverisë, i udhëhiqja në gjuhën shqipe, njejtë edhe Talat Xhaferi me seancat e Kuvendit, gjithashtu çdo dokument, ligj, vendim, ishte në dy gjuhë”, përfundon Grubi për Periskopin.

Ndryshe, neni 1 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, thotë se në tërë territorin në Republikën Maqedonisë (së Veriut) dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër, që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare si dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.

Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorge Ivanov, refuzoi dekretimin e tij, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë, ndonëse gjatë debatit në kundërshtim të tij paraqiti mbi 30 mijë amendamente (35.563)./PERISKOPI/

 

 

Shpërndaje në: