Gruaja nga Kuba për Maradonnën: Më mbuloi gojën dhe më përdhunoi kur isha e re, ma vodhi pafajësinë
Mavys Alvarez, një grua kubane e cila ishte në lidhje me futbollistin e ndjerë Diego Maradona para dy dekadave, pretendon se lojtari argjentinas e kishte përdhunuar kur ajo ishte adoleshente dhe se ia ‘kishte vjedhur fëmijërinë’.
Alvarez, tani 37 vjeçe, dha dëshmi javën e kaluar në një gjykatë të Ministrisë së Drejtësisë së Argjentinës, e cila është duke i hetuar pretendimet e saj për trafikim kundër ish-përfaqësuesve të Maradonës, në lidhje me ngjarjet kur ajo ishte 16-vjeçare.
Maradona, që vlerësohet si njëri prej lojtarëve më të mirë në histori, vdiq në nëntor të vitit të kaluar.
Alvarez pretendon se u përdhunua nga Maradona kur kishte udhëtuar drejt Argjentinës me yllin e futbollit në vitin 2001, kur ai ishte 40 vjeç dhe ajo 16 vjeçe.
Alvarez tha se për herë të parë e kishte takuar Maradonën pak para udhëtimit, kur ai ishte në Kubë për t’u shënuar nga varësia ndaj drogës.
Ajo pretendon se Maradona e kishte përdhunuar në klinikën e Havanës ku ai po qëndronte, derisa nëna e saj ishte në dhomën tjetër.
‘Ai ma mbuloi gojën, më përdhunoi. Nuk dua të mendoj shumë për këtë’, tha Alvarez.
‘Më humbi vajzëria, ma vodhën të gjithë pafajësinë. Është e vështirë. Nga ai çast nuk i përjeton më gjërat e pafajshme që një vajzë e asaj moshe i përjeton’, shtoi ajo.
Matias Mortla, avokati i Maradonës para vdekjes së tij, nuk i është përgjigjur kërkesës për koment. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka mundur t’i identifikojë përfaqësuesit e tjerë ligjorë për Maradonën në këtë rast.