Grishaj : Hipokrizi, Qendra e Filmit nuk më mbështeti, fiton para nga filmi im
“Kam aplikuar tre herë te qendra e filmit, jam person ‘non-grata’, hipokrizi që ata fitojnë lekë nga filmi im”. Me këtë deklaratë, regjisori Eduart Grishaj ka treguar skandalin që ndodh me prodhimin e filmave në kinematografinë Shqiptare. Teksa ecën, Grishaj rrëfen në emisionin N’kohë në Report TV me gazetarin Ermal Qori, të gjitha prapaskenat e filmit ‘Sophia’.
“Ne në Shqipëri kemi një qendër filmi, një institucion që duhet të mbështesë të rinjtë, por fatkeqësisht është i degraduar, kam marrë 0 mbështetje, kam kërkuar ndihmë sepse pata besim se ishte historia e At Zef Pëllumbit që bën një promovim të kulturës tonë. Ata më thanë që projekti do fitoj patjetër, si përfundim nuk erdhi asgjë, sipas statistikave filmi im është më i shikuari mbi të gjithë filmat e 3 viteve të fundit të financuar nga kjo qendër, hipokrizia më e madhe është që qendra e filmit fiton para nga filmi im.
Kam aplikuar 3 herë te qendra, unë jam person non-grata atje. Me filmin tim qendra merr fitim nga biletat e mia. Kjo mua nuk më ndalon të eci përpara, e them për njerëzit e rinjtë që demoralizohen dhe prandaj nuk ka filma këtu, sepse është një keqmenaxhim nga kjo qendër. Është një ligj në Shqipëri që qendra filmit merr një % fitimi nga prodhimi i filmit tim. Aty ka një klan të caktuar dhe e din ata se si i bëjnë këto gjëra”- Tha ai.
Grishaj ka rrëfyer eksperiencën me aktorët e mirënjohur, ndërsa e ka quajtur si më “problematiken” Arbana Osmanin, pasi sipas tij Arbana improvizonte duke dal nga skenari.
“Arbana ka qenë aktorja më e vështirë, madje edhe ca halle që kam pasur më tepër ja kam kaluar asaj…Arbana ka shumë vite në televizion dhe është mësuar te emisioni e thoshte tekstin me fjalët e veta, gjë që në film nuk duhet të ndodhi pasi kjo ndryshon shumë gjëra edhe mbrapa”-përfundoi ai.
“Sophia” është prodhimi i fundit filmik i regjisorit Grishaj. Filmi ka korrur sukses jo vetëm në Shqipëri por kudo në diasporën Shqiptare