Gripi sezonal bie nën pragun epidemik
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një komunikate për media njofton se gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka shënuar rënie të rasteve të gripit sezonal nën pragun epidemik.
Nga 01 Tetori 2018 deri më 29 mars 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 54.949 raste të dyshimta në grip (ILI), 6.296 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 107 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut). Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit, dhe Podujevës.
Gjatë javës së 12-të janë raportuar 3.577 raste ILI, 229 raste ARI dhe 13 raste SARI, përcjell ksp
Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri sot janë testuar gjithsej 1016 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 422 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 41.5 %). Sipas subtipit 345 mostra Influencë A e pa- subtipizuar dhe 76 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 dhe 1 mostër rezulton pozitive në AH3.
Hospitalizimet:Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale nga 1 tetori 2018 deri sot janë hospitalizuar 631 rast me Dg. Bronchopneumonia (ARI), 291 raste me Dg. ILI dhe 94 raste me Dg.SARI. Brenda 24 orëve të fundit janë hospitalizuar 2 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI) 2 raste me status gripsosus, 1 rast me Dg.Infiltratio Pulmonum (SARI) dhe 2 raste me Dg. Influenza A e konfirmuar.
Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Europë dhe botë.
Komiteti SHSKUK konstaton se:
- Klinika Infektive ka raportuar 1 rast të vdekjes me Influenza A,i komplikuar me komorbiditet me sëmundje kronike.
- Epidemia e gripit sezonal ka shënuar rënie në intensitet nën pragun epidemik, por akoma ka raste me ashpërsi klinike për shkak të ko-morbiditetit me sëmundje kronike të cilave gripi ua komplikon gjendjen.
- Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universisar mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së
Kosovës, duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.
- Aktiviteti i Influencës ka rënie në tërë rajonin Evropian.
- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës janë në kujdestari dhe do të vazhdojnë të përcjellin situaten epidemiologjike sipas standardeve dhe protokoleve të OBSH, ECDC dhe CDC deri në javën e 20-të.
- Epidemia e gripit sezonal do të përcillet edhe dy javë me vigjilencë të shtuar dhe me trendin e tanishëm të rënies pritet që të shpallim shuarjen e epidemisë.