Gratë e kanë marrë pushtetin, nuk ka kthim mbrapa

Gratë e kanë marrë pushtetin, nuk ka kthim mbrapa

Dita ndërkombëtare e Gruas është sot, pesë muaj pas zbulimeve rreth sjelljeve të Harvey Weinsteinit që kishte thyer shumë gra, e të cilat vendosën të thyenin shumë gjëra tjera. U thyen shfajësimet. U thye heshtja. U thye edhe paraqitja respektuese e shumë institucioneve. Mund të thoni se u thye/shpërtheu një digë, dhe një mur me rrëfimet e grave u derdh përpara – që ka ndodhur edhe më parë, por kurrë në mënyrën sesi ndodhi tash. Kësaj here, gratë jo vetëm që i treguan rrëfimet e tyre të të qenit të sulmuar dhe të abuzuar; ato dhanë emra, dhe abuzuesit e sulmuesit humbën punët, reputacionin, bizneset dhe karrierat e tyre. Ato dhanë emra, dhe kjo kishte rëndësi; njerëzit dëgjuan; dëshmia e tyre pati pasoja. Sepse ka një dallim të madh mes të qenit e aftë të thuash diçka dhe thjesht të dëgjuarit dhe të respektuarit e asaj gjëje. Pasojat janë shpesh ato që e bëjnë dallimin.

Diçka ka ndryshuar. Ajo çka shpesh neglizhohet është se ka pasur ndryshime të mëparshme në mënyrë që diçka e tillë të ndodhte. Diçka e padukshme i ka bërë të mundura këto përmbysje dhe transformime të dukshme. Njerëzit shpesh i vendosin në të kundërt të njëra tjetrës revolucionin dhe inkrementalizmin [besimi ose avokimi i ndryshimit gradual], por nëse revolucioni është diçka që i ndryshon gjërat menjëhershëm, inkrementalizmin shpesh e shtron terrenin që ai të ndodhë. Diçka ndodhë krejt papritur, dhe kjo gabimisht mendohet si diçka që pikë prej qiellit. Por ‘pikja prej qiellit’ zakonisht nënkupton të nxjerrësh nga jashtë gjërave që njerëzit iu kushtojnë vëmendje, jashtë punës së ngadalshme që bëhet nga dikush, ose nga shumkush për muaj, vite apo edhe dekada.

Martesat e seksit të njëjtë arritën papritur në Shtetet e Bashkuara kur gjykata supreme i legalizoi ato në mbarë kombin amerikan, veço ato shtete që paraprakisht e kishin legalizuar. Dhe kjo erdhi si rezultat i një pune të guximshme të shumë njerëzve joheteroseksual dhe të miqve të tyre, që e bënë të dukshme se joçdokush ishte heteroseksual, duke e bërë të rëndësishme për secilin që të merrte të drejta, poashtu duke i bërë njerëzit me orientim të ndryshëm që të besonin se mund të fitoheshin këto të drejta. Dhe ndodhi sepse rasti testues në Kaliforni u bë nga ajo që u duk se ishte një juri konservatore – gjykatësi federal Vaughn Walker, i emruar nga George H.W.Bush – i cili kishte qenë i afërt me të gjatë kohës së emrimit, por që ishte gay, dhe që qëndrimi i tij ndaj orientimit të tij seksual ka evoluar siç evoluoi e gjithë kultura rreth tij. Ai ishte pro martesave dhe e çoi rastin në gjykatën supreme. Gjykatësit vendosën përmes asaj që ishte një ‘common sense’ vetë-evident – zakonisht dukej ashtu shkaku i një ndryshimi të ngadaltë gradual në normat dhe besimet shoqërore. Gjykatësit e morën vendimin e fundit, por ndryshimi erdhi nga efektet kumulative të veprimeve dhe ndryshimeve të vogla.

Momenti i #TimesUp/#MeToo nuk përbën ndryshim; është një revoltë për të cilën jemi përgatitur me dekada, ose ndoshta është pika në të cilën një proces shumë i gjatë, i ngadaltë dhe shpesh i heshtur papritmas u bë i shpejtë dhe i zëshëm. Pjesë të kësaj pune u bënë në pesë vitet e fundit, por pjesa më e madhe përgjatë 50 viteve të fundit. Kemi pasur një përmbysje të hatashme në këto pesë vitet e fundit – në fund të 2014-s, shkrova këto rreshta: “Kam pritur gjithë jetën time për atë që ka sjellur ky vit.” Çka solli kjo valë është pranimi që secili akt i dhunës gjinore është pjesë e një epidemie. E ka sjellur një fund të pjesshëm trajtimi dhe izolimi të këtyre incidenteve, si faje të vetë viktimave, si rezultat i sëmundjeve mendore ose të tjera devijimeve. Ka nënkuptuar më shumë shpërndarje gatishmërie për të pranuar që këto raste dhune janë jashtëzakonisht të përhapura dhe kjo pati impakt enorm, e që u ngrit nga vlerat, privilegjet dhe qëndrimet e ndërtuara brenda kulturës.

Është një ndryshim që ka ndodhur edhe më herët, për të tjera çështje të drejta, si diçka që janë toleruar gjatë dhe që përfundimisht janë pranuar dhe janë denoncuar, gjë që nënkuptonte se njerëzit për të cilët ajo padrejtësi e caktuar nuk përbënte problem më në fund e kishin pranuar dhimbjen e atyre për të cilët ajo çështje përbënte problem. Ky ndryshim nga tolerimi te intolerimi zakonisht është rezultat i një ndërrimi pushteti në atë se kush vendos, ose një ndërrim në atë se çfarë storjesh dominojnë, ose në atë se storja e kujt publikohet, ose besohet. Është një ndryshim delikat në atë se kush ka rëndësi që paraprin ndryshimet dramatike.

Në këtë rast, prej 2012-s, një gjeneratë e re e grave të reja nuk do të intimidohej as nga turpi e as nga burokracia dhe do të fliste për dhunimet dhe më shumë se për to, për organizimin kundër tij. Mediat sociale iu kanë dhënë grave kapacitetin që të formojnë një lloj të korit grek kur një storje rreth dhunës gjinore shpërthente. Ne i kemi hequr shumë nga shfajësimet që mësynin të zvoglonin impaktin e dhunës gjinore, siç mesa duket e kishim me dhunën e shkaktuar nga armët në Shtetet e Bashkuara. Ne ende po punojmë që t’i bëjmë edhe ata të cilët mësojnë ngadalë të pranojnë se ngacmimet në vende të punës nuk janë problem i “pak mollave të këqija”; që heqja e disa abuzuesve nga vendi i abuzimit nuk zgjidhë ndonjë problem që ndryhet në besimet rreth asaj se kush çka ka të drejtë të bëj, dhe kush duhet thjesht ta pranojë atë gjë.

Por edhe ‘ne’-ja ka ndryshuar dhe unë besoj që kjo është qëndrore për atë se pse kaq shumë gjëra kanë ndryshuar. Kush përcakton se çfarë rrëfimesh të thuhen, kush duhet të besohet, fjalët e kujt kanë peshë, e kush është në detyrë – këto kanë ndryshuar tashmë. Nuk i kemi humbur ithtarët e botëkuptimeve të vjetra, nga e cila jeta e burrave vlen më shumë dhe fjalët e tyre kanë më shumë kredibilitet, por i kemi mbledhur njerëzit që nuk besojnë më në atë rregulla. Feministët ngadalë por vazhdimisht kanë marrë më shumë pushtet – dhe me feministë unë nënkuptoj secilin, pavarësisht gjinisë, që mendon së pari se gratë meritojnë trajtim të barabartë dhe e dyta që misogjinia sistematike mbetet një problem i rëndë.

Dhe ja ku mund të këqyrim te puna e ngadaltë por e gjatë e feminizmit për t’i vendosur gratë në pozita pushteti; në rendim me punën e lidhur me ndryshimin e strukturës racore të asaj se kush mban pushtet. Kush vendosi se çfarë tregimesh vlenin? Gazetarja Sharon Waxman thotë që kur ishte në the New York Times provoi të thoshte të vërtetën për Weinsteinin më 2004, por u refuzua nga redaktori burrë, që nuk e kuptonte se pse ky aspekt i rrëfimit kishte rëndësi. E dimë që Ronan Farrow e filloi investigimin e tij me pengesën e NBC-së, që refuzoi ta mbështeste, kështuqë e çoi storjen e tij në New Yorker. Farrow nuk është grua; ndërrimi nuk është vetëm te pozicionet e pushtetit të grave por të çdokujt që beson se gratë meritojnë barazi në qasjen te pushteti, që meritojnë kredibilitet dhe drejtësi. Neve na vyen të vazhdojmë t’i dërgojmë njerëzit e drejtë në drejtësi, media, gjykata, ekonomi e shkolla – të cilët i kuptojnë dhe kanë empati edhe për ata që nuk janë të bardhë, që nuk janë hetero, që nuk janë të pasur ose në ndonjë mënyrë të avantazhuar, që nuk janë vendali, ose meshkuj. Ata që besojnë në drejtësi të barabartë dhe vlera të barabarta.

Ky moment kryengritës tashmë po qetësohet, por gjërat nuk do të jenë njësoj si më parë. Një shok së fundi më tha që shumë gra ishin inkurajuar të hynin në punë pasiqë ngacmuesit ishin shkarkuar. Kjo i kishte bërë më me vetëbesim, më të frymëzuara dhe më kreative. Kemi pasur tepër shumë storje rreth burrave që nuk ndihen rehat sepse gjërat po ndryshojnë, më shumë se të grave që po ndihen më rehat se kurrë ndonjëherë, për të njëjtën arsye.

Ne do të rikthehemi në një fazë në të cilën ndryshimi ndodh ngadalë dhe mjaftueshëm delikatësisht sa është i padukshëm për shumicën e njerëzve, megjithëse jo për njerëzit që e kanë një pamje më të gjerë dhe të atyre që e nxisin ndryshimin ose që përfitojnë nga këto ndryshime të vogla në shtëpitë e tyre, në vendet e punës apo në marrëdhëniet e tyre erotike. Dhe kështu, ndryshimi do të arrijë një pikë nga e cila do të ketë një tjetër thyerje.

Përkthehu nga Guardian, Periskopi

Shpërndaje në: