Grabitja e Rinasit në 2019, dënohet me 18 vite burg Talo Çela
GJKKO ka dënuar me 18 vite burg Talo Çelën për grabitjen e 4.5 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit.
Ngjarja ndodhi më 9 prill të vitit 2019. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kishte kërkuar 19 vite burg për Talo Çelën, ndërsa GJKKO, ka marrë vendimin për dënimin me 18 vite.
Aktualisht Talo Çela ndodhet në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe gjykimi për të u bë në mungesë dhe i ndarë nga pjesa tjetër e grupit.
Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.
Për ngjarjen e 2019, GJKKO në tetor të vitit të shkuar dënoi me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal.
Klement Çala u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg.
Të dënuarit po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.