Goditja në shpinën e nuses dhe dasmat tona si rrëmbim

Goditja në shpinën e nuses dhe dasmat tona si rrëmbim

1. Si dele në pazar, mes dy qytetërimeve. Ali Podrimja duhej të ishte vajzë

Duke biseduar me një shoqe para ndeshjes Kosovë – Finlandë, na la përshtypje njohja e Ali Podrimes si shkrimtar, që iu bë në masë të madhe. Pra, me shoqen, hodhëm në diskutim pyetjen se a ka qenë ndonjëherë më i famshëm Ali Podrimja, se sa rasti me poezinë ‘Unë, biri yt Kosovë’, e cila qëllimshëm apo paqëllimshëm, nuk e di, qenka pas caktuar si një lloj slogani i kombëtares së Kosovës në futboll.

Shpërndarja e poezisë komplet, sidomos në Facebook, kaloi madje edhe në diçka qesharake. Kisha dhjetëra shokë, që kishin shpërndarë poezinë, si një lloj himni a betimi për Kosovën. Ajo, dukej se u përdor edhe si një ‘mburojë’ në luftën verbale se a duhet të ketë Kosova kombëtare apo jo. Paj, është njëmend poezi emocionuese, kur thotë “Unë, biri yt Kosovë, t’i njoh andrrat e heshtuna’. Kështu diçka.

Pas kësaj, ishte hapur edhe një luftë ‘feminizmi’ përballë poezisë së mirë të Podrimes. Dikush, kishte shkruar se duhej të shpiknim diçka edhe ‘Unë, bija jote Kosovë’. Ama kjo kërkohej, kinse ne shumë popull feminist. Kinse ne vdesim për të drejtat e femrave. Por, Ali Podrimja ka qenë djalë, që ta dini… Dhe ai e ka shkruar poezinë përmes të cilës, duket se e njohëm fort.

Edhe që të dihet: Podrimja ka shkruar edhe poezinë e cila Kosovës i thotë që po trajtohet ‘si dele në pazar mes dy qytetërimeve’ edhe që detyrohet shpesh t’i bëjë ‘do koncesione’. (Tomlin e nanës)

2. Ne bijat tua Kosovë, detyrohemi t’i abortojmë bijat tona në mitra

Ta zëmë se një poet do t’i përgjigjej kërkesës qesharake për një ekzistencë rimash me titull ‘Unë, bija jote Kosovë’. Çka do të shkruante në atë poezi? A e kanë para këto Organizatat që kumbojnë feminizmin raportin e fundit të nja tri organizatave (UNFPA, ASK dhe INDEX). Raporti ka nxjerrë në pah se në Kosovë, po vazhdon ‘trendi’ i abortimit të vajzave nga nënat. Kjo, bëhet për shkak se në Kosovë, ‘vazhdon të mbetet preferenca e prindërve që të kenë djem’.

Pa hulumtuar apo pyetur dikë, raporti të lë të kuptosh se nënat detyrohen t’i abortojnë vajzat. S’ma do mendja që një nënë s’do dëshironte ta kishte në krah një fëmijë, qoftë vajza e tretë, e katërt, e pesta në qoftë. Sa për këtë raport, kaloi si në hije, pa u bë llaf prej askujt. E di që jemi të zënë me ‘tema të mëdha’ politike. Veç të rangohesh në listë me Kaukazin e Azerbejxhanin për aborte të qëllimshme vajzash, s’di për çfarë vlerash duhet të flasim më tutje.

3. Goditja e vjehrrit në prapanicë (me gjasë në shpinë) dhe dasmat tonë si rrëmbim

Për ta përmbyllur gjithë ferrin e botës së vajzave shqiptare, vjen një dasmë në Malishevë. Dhëndri 14 vjeçar, para se gjithash, një senzacion medial. Për klika po se po. Ama edhe për kritika tash. T’i mprehim gishtat dhe të fillojmë ta kritikojmë ‘fenomenin’. Ç’fenomen i hatashëm. I paparë ndonjëherë në shoqërinë tonë. Paj, hajgare. Nëse jo, prindërit, të paktën gjyshërit ose veç gjenerata e parë përtej tyre, na u kanë martuar në moshën 14 vjeçare. A arsyetohet kjo çmenduri? Jo se jo. Ama të dukemi sikur po shohim diçka për herë të parë në këtë botën tonë të vogël e të mjerë, kur martesa të tilla, me gjasë kemi dëgjuar secili prej nesh të kemi pasur në familje…

Dhe në fund: qershia mbi tortë. Vjehrri godet nusen në prapanicë. Ne jo që mendojmë për damkosjen që ia bëjmë asaj vajze. Paramendojeni, ajo ndoshta do ta çojë jetën në atë familje. Kudo në internet është një lajm se ‘vjehrri e ka goditur në prapanicë’.

Jo. Mos u ‘shitni’ sikur s’keni lindur në Kosovë, apo ndoshta nuk keni lindur. Secili prej jush që ka martuar motrën, vajzën…apo dikë, i keni mëshuar grusht ditën e martesës. E dini arsyetimin tonë bestytniko – shkencor: që vajza të mos ua marrë bereqetin pasi të martohet.

Në esseun ‘Eskili, ky humbës i madh’, Ismail Kadare na e ofron tablonë e fundit të skenarit tonë dasmor, për ta fyer vajzën skajshmërisht. Ai thotë se ‘dasmat shqiptare ngjajnë në rrëmbim. Veturat bëhen varg e vi, pasi nusja ka hipur në veturën e saj dhe dikush çet pushkë për t’u nisur”. Tamam si skenë rrëmbimi, tamam si kthim nga një betejë…

periskopi.com

Shpërndaje në: