Goditja e pashmangshme që duhet ta bëj Abdixhiku në LDK
Lumir Abdixhiku është kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK]. Kjo është një ‘ndodhi’ e mundësuar kryesisht nga zgjedhjet e fundit të parakohshme që i dhanë një rezultat dëshpërues kësaj partie. Pra, me fjalë të tjera, kjo ishte ‘ndodhi’ e mundësuar nga reflektimi i bërë prej delegatëve zgjedhës për atë dëshpërim.
LDK-ja – për dallim nga partitë e tjera të mëdha – duket se e kupton më mirë pozicionin e saj ideologjik, ani që paradoksalisht duket po ashtu se nuk ia ka idenë për teoritë organizative që duhet apo mund të zbatojë. Kjo e bën demokracinë e saj të brendshme [më e zhvilluar se në partitë e tjera të mëdha] të duket më shumë si një aksidencë se sa si produkt të organizimit e të debatit të brendshëm.
Kësisoj, i gjithë reflektimi i delegatëve zgjedhës mund të vihet në pikëpyetje. Kësisoj, edhe vetë Lumir Abdixhiku si kryetar i LDK-së mund të konsiderohet rrjedhojë e kësaj aksidence.
Para pak javësh, disa delegatë [kryetarë degësh] të partisë e kishin qortuar kryeministrin Avdullah Hoti në një takim, se nuk i kishte punësuar njerëzit e degëve të tyre në Qeveri. Pra, sipas tyre, detyra e kryeministrit të LDK-së ishte të punësonte njerëz të LDK-së në qeveri. Hapësira ku u shtrua ky qortim [në një mbledhje të brendshme], njëkohshëm me funksionin e pjesëmarrësve [kandidati për kryeministër, kryetarët e degëve], e bën të qartë thellësinë e kulturës abuzive brenda partisë. Lehtësia e padurueshme me të cilën shprehet një normë e tillë është aq problematike sa dëften mangësi bazike organizative.
Abdixhiku duhet me urgjencë të ndërtojë mekanizma të efektshëm që bëjnë spastrime të degëve nga njerëzit që nuk rrokin as më elementaren e angazhimit publik. Dhe më pas, të ndërtojë mekanizma të tjerë që paralelisht me spastrimet, mundësojnë edhe përbrendësim dhe zgjatim të narrativës që kërkon të përçojë partia.
Dua të shpresoj që Abdixhiku nuk e sheh angazhimin e tij si kryetar partie thjesht duke u përballur direkt me Kurtin. Po të ishte kështu, atëherë e gjithë zgjedhja e tij si kryetar do të ishte një banalitet i radhës nga LDK-ja dhe ‘ndodhia’ në retrospektivë të humbte edhe statusin e saj si ndodhi në thonjëza [e lëre më të bëhej tamam ndodhi]. Kurti nuk është thjesht një individ që mund të luftohet në Kuvend, nëpër debate televizive apo në rrjete sociale. Ai është udhëheqës i një diskursi tepër të fuqishëm e të mobilizuar që shtyhet përpara nga një armatë e madhe zëdhënësish. Lumiri në anën tjetër, tash për tash, është krejt i vetëm.
Aktualisht, LDK-ja rrezikon seriozisht të humbas krejtësisht arsyet e ekzistencës së saj nëse vazhdon të kultivojë – siç personalisht e kam bindjen – një karakter thjesht reaksionar. Por, aktualiteti që shpreh rrezik mund të përmbyset nëse Abdixhiku ia del të kuptimësojë përfaqësueshmërinë politike të partisë duke e dinamizuar narrativën e saj përmes një ndërveprimi konkret e të përditshëm me gati çdo zhvillim në vend.
Por, narrativa nuk zgjaton terrenet e nuk dinamizohet nëse vazhdon kjo errësirë organizative. Narrativa do të mbetet po kaq e brishtë nëse nuk ka një organizim të themeltë teorik. Kjo sepse pushteti i ri pritet të jetë njëqind mijë herë më i sofistikuar se sa pushtetet e deritashme. Ai pritet t’i zgjerojë fushat e debatit e të luftës. E gjithë vëmendja nuk do të jetë e përqendruar krejtësisht te ‘politika’ si një dramë teatri. Pushteti i ri e kupton mirë se është ekzistenciale që të heqë ngushtësinë e fokusit të qytetarit, gjë që paevitueshëm edhe do t’ia arrijë.
Kurti e kishte shpallur një dëshirë të tillë qysh më 2017 kur kishte kërkuar që pas ardhjes së tij në pushtet të kishte më pak debate për politikën e më shumë për fushat e tjera*. Natyrisht, është e qartë se përkundër që në vetvete është gjë e mirë, ky dëshirim i pushtetarit të ri mësyn të kufizojë hapësirën publike të kundërshtarëve, të prishë mundësitë mobilizuese e të konfuzojë mesazhet e tyre.
Në rast se një çdramatizim i tillë ndodh – ashtu siç edhe besoj se do të ndodh duke e njohur Kurtin – atëherë LDK-ja nuk do të arrijë ta ndjekë hapin dhe për rrjedhojë do të shuhet.
LDK-ja e Abdixhikut ka para vetes dy skenarë krejtësisht të kundërt me njëri-tjetrin: ai i rritjes së hovshme elektorale, dhe ai i shuarjes.