GMK sjellë ekspozitën “Histori personale përmes pikave”
Sot në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Histori personale përmes pikave” e piktores Valbona Karabaxhaku Dërdovski.
Kjo ekspozitë përmban punime të realizuara në një teknikë të veçantë e cila njihet si “arti aborigjin” dhe punohet me shkopinj shumë të hollë për të formuar pika prej më të voglave deri te ato më të mëdha.
Ngjyrat janë prej dheu si e kuqe, okër, e verdhë dhe e zezë dhe përbëjnë katër ngjyrat kryesore të këtij lloj arti i cili origjinën e ka tek vendësit Australian.
Kuratorja e ekspozitës, Arbana Hajredinaj, shprehet se arti aborigjin me pika si teknikë është mjaftë i vështirë.
“Nuancat e ngjyrave nuk radhiten sipas koloritit por ato formësojnë dhe harmonizohen përmes ngjyrave të ndryshme [….] dhe këtë harmonizim të kontrastit Valbona Karabaxhaku Dërdovski e bën shkëlqyeshëm” vazhdon tutje Hajredinaj.
Ekspozita financohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës. /Telegrafi/