GLPS: Haxhiu ka ndërhyrë në drejtësi, ka shkelur Kushtetutën

GLPS: Haxhiu ka ndërhyrë në drejtësi, ka shkelur Kushtetutën

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk guxon të ndërhyjë në asnjë mënyrë në drejtësi, ndërsa ka reaguar pas akuzave të ministres Albulena Haxhiu ndaj sistemit.

“Betimi për drejtësi” raportoi të shtunën për misterin e një zarfi nga Serbia, që sipas Prokurorisë përmban të vërtetën, ndërsa sipas njërës familje bëhet fjalë për mashtrim.

Deklaratën e saj si veprim GLPS-ja e ka quajtur kundërkushtetues, duke theksuar më tej se palë kontestuese në këtë rast nuk është asnjë organ i pushtetit ekzekutiv.

“Rrjedhimisht, shpjegimi i vetëm për ndërhyrjen flagrante të Ministrisë së Drejtësisë mund të jetë: (i) interes personal dhe i kundërligjshëm në këtë çështje, fshehur nën petkun e pozitës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, dhe në çdo rast edhe (ii) mungesë e njohurive elementare mbi rendin juridik të shtetit sipas të cilit do të duhej të vepronte Ministria. Kështu, pjesa e deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë se ‘[d]rejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi’ na tregon se Ministria në fakt e konsideron vehten, si të pushtetshme, rrjedhimisht ka zgjedhur se kush janë të dobët e kush të fortë, dhe se (gjithnjë sipas kësaj logjike kundërkushtetuese) ndarja e drejtësisë duhet t’i përshtatet këtyre vlerësimeve të Ministrisë”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

GLPS-ja ka thënë më tej se mendësia e tillë përbën precedent të rrezikshëm, dhe është “e papajtueshme me integritetin dhe njohuritë minimale të kërkuara për të udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë”.

“Cilido të jetë motivi, me këtë veprim, Ministria ka ndërhyrë në mënyrë flagrante në drejtësi, dhe atë në dy drejtime: në drejtësinë si sistem, dhe drejtësinë si proces për subjektet. Ministria e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën e Republikës në 6 mënyra, më saktësisht duke shkelur e cenuar Nenet: 3.1; 3.2; 4.1; 4.5; 7; 92.2”, përfundoi GLPS.

Shpërndaje në: