Globalizimi: koha për t’u marrë me gabimet e së kaluarës që të parashohim të ardhmen

Globalizimi: koha për t’u marrë me gabimet e së kaluarës që të parashohim të ardhmen

Pesëmbëdhjet vjet më parë, e pata botuar librin “Globalizimi dhe Pakënaqësitë e tij”, i cili shpjegonte se pse kishte kaq shumë pakënaqësi me globalizimin brenda vendeve në zhvillim. E thjeshtë, shumë njerëz besonin që sistemi ishte manipuluar që t’iu kthehej kundër, dhe marrëveshjet tregtare globale ishin jokorrekte.

Pakënaqësitë me globalizimin këto kohë e kanë ushqyer një valë populizmi në Amerikë dhe në ekonomitë e tjera të zhvilluara, të udhëhequra nga politikanë që pretendojnë se sistemi është i padrejtë për shtetet e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump ngulmon që negociatorët tregtarë të Amerikës ishin mashtruar nga ata të Meksikës dhe Kinës.

Si mundet që diçka e cila duhej të ishte në përfitim të të gjithëve, në vendet e zhvilluara e në zhvillim, u bë diçka e sharë nga të gjithë? Si mundet një marrëveshje tregtare të jetë e padrejtë për të gjithë pjesëtarët e saj?

Për ata të shteteve në zhvillim, pretendimet e Trumpit janë qesharake. Shtetet e Bashkuara praktikisht i vendosën rregullat dhe i krijuan institucionet e globalizimit. Në disa prej këtyre institucioneve – për shembull, FMN-ja (Fondi Monetar Ndërkombëtar) – ShBA-ja ka ende fuqinë e vetos, pavarësisht rolit të zvogëluar në ekonominë globale (një rol të cilin Trump duket se e ka përcaktuar të jetë edhe më i zvogëluar).

Për dikënd si unë, që i ka shikuar nga afër marrëveshjet ndërkombëtare për më shumë se një qerek shekulli, është e qartë se negociatorët e ShBA-së e morën pikërisht atë që deshën. Problemi ishte me atë që ata deshën. Agjenda e tyre ishte e vendosur, prapa dyerve të mbyllura, nga korporatat. Ishte një agjendë e shkruar nga, dhe për, kompanitë e mëdha multinacionale, në kurriz të punëtorëve dhe qytetarëve të thjeshtë kudo.

E vërtetë, shpesh duket sikur punëtorët – të cilëve rrogat iu janë zvogëluar ose kanë mbetur pa punë, – janë vetëm dëme kolaterale viktima të pafajshme por të pashmangshme në marshin e papërkulur të progresit ekonomik. Por ka edhe një tjetër intepretim për atë që ka ndodhur: një nga objektivat e globalizimit ishte që të dobësonte fuqinë e puntorëve. Ajo që donin donin korporatat ishte puntorë më të lirë, pavarësisht mënyrave sesi do t’ia dilnin kësaj.

Ky interpretim ndihmon në shpjegimin e disa aspekteve jo-aq-të qarta të marrëveshjeve tregtare. Pse, për shembull, shtetet e zhvilluara kanë hequr dorë nga avantazhin e tyre më të madh, rendin e ligjit? E vërtetë, provizionet e ngulitura në shumicën e marrëveshjeve të fundit tregtare iu kanë dhënë investitorëve të huaj më shumë të drejta sesa që iu ofrohen investitorëve brenda në ShBA.

Janë tri përgjigjje për pakënaqësitë globale me globalizimin. E para – ta quajmë strategjia Las Vegas – është të bëj ‘double down’ në bastim e globalizimit në atë sesi është menaxhuar në qerek-shekullin e kaluar. Ky bast, si të gjitha bastet e dështimeve të dëshmuara politike është bazuar në shpresën se disi do t’ia dalë në të ardhmen.

Përgjigjja e dytë është Trumpizmi: ndërprite globalizimin, me shpresën se duke bërë diçka të tillë do të kthejë prpaa botën e shkuar. Por proteksionizmi nuk do të funksionojë. Globalisht, punët e manufukturës janë në rënje, thjesht sepse produktiviteti e ka tejkaluar rritën e kërkesës.

Edhe nëse manufakturimi do të kthehej, punët nuk do të ktheheshin. Teknologjia manufakturuese e avancuar, përfshirë robotët, nënkupton që pak punë të krijuara do të kërkojnë shkathtësi të madhe dhe do të vendosen në lokacione të ndryshme se punët që janë humbur. Si ‘double down’, kjo përpjekje është e dënuar të dështojë, duke e rritur pakënaqësinë e atyre që e kanë pësuar.

Trumpi do të dështojë madje edhe në qëllimin e tij të proklamuar për reduktimin e deficitit tregtar, i cili përcaktohet nga pabarazia mes rezervave të brendshme dhe investimeve. Tash që Republikanët e kanë rrugën të çelur dhe mund të shkurtojnë taksat për miliarderët, rezervat kombëtare do të bien dhe deficiti tregtar do të rritet, që do të çojë edhe në rritjen e vlerës së dollarit. Trumpit mund të mos i pëlqejë, por siç do ta merrë vesh pak-ngapak, janë disa gjëra që as personi me postin më të fuqishëm në botë nuk mund t’i kontrollojë.

Ka edhe një përpjekje të tretë: proteksion social pa proteksionizëm, një tip i përpjekjes që e ndërmorrën vendet e vogla nordike. Ata e dinin që si shtete të vogla ato duhet të mbeteshin të hapura. Por ato e dinin poashtu që në të mbeturit hapur do t’i ekspozonte puntorët e tyre ndaj rrezikut. Kështu, ata duhej të kishin kontratë sociale që do t’i ndihmonte puntorët të lëviznin nga punët e vjetra në të reja dhe do t’iu jepte ndihmë të përkohëshme.

Vendet nordika janë shoqëri thellë demokratike, kështuqë ata e dinin se megjithëse shumica e puntorëve e merrnin globalizimin si diçka në të mirë të tyre, kjo s’do të ishte diçka e qëndrueshme. Dhe pasanikët e këtyre vendeve e kuptuar se nëse globalizimi do të funksiononte siç duhej, ata do të kishin mjaftueshëm përfitime për të marrë.

Kapitalizmi amerikan në vitet e fundit është shënuar nga një lakmi e shfrenuar – kriza financiare e vitit 2008 e provon një gjë të tillë.

Mund të mësojmë nga suksese të tilla se çka të bëjmë, ashtu siç mund të mësojmë nga gabimet e së shkuarës se çka të mos bëjmë. Siç është bërë evidente, nëse nuk e menaxhojmë globalizimin në mënyrë që të na japë përfitime të gjithëve, përplasja – nga pakënaqësitë e reja në veri dhe pakënaqësitë e vjetra në jug – është me rrezik të intensifikohet.

Përktheu dhe përshtati nga Project Syndicate: Periskopi

Autori është fituees i çmimit Nobel në Ekonomi

Shpërndaje në: