Gjyqtari historik kosovar lajmërohet nga Italia: Kam barrë të rëndë mbi supe, e merituan edhe të tjerë para meje

Gjyqtari historik kosovar lajmërohet nga Italia: Kam barrë të rëndë mbi supe, e merituan edhe të tjerë para meje

Gjyqtari kosovar i volejbollit, Istref Elezaj është lajmëruar nga Caorle e Italisë, nga ku me plot modesti e përulje ka folur rreth eventit.

Elezaj do t’i nënshtrohet një kursi 10-ditorë për marrje të licencës si trajner ndërkombëtar i volejbollit, teksa bëhet i pari në histori nga Kosova që arrin këtë sukses.

Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës së Volejbollit të Kosovës, ai ka treguar klasin e tij duke potencuar se gjyqtarë të tjerë para tij merituan të jenë aty ku është ai sot por, për shkak të rrethanave izoluese, ishte e pamundur, shkruan Periskopi.

”Pranimi i Federatës sonë me të drejta të plota në Federatën Evropiane e Botërore të volejbollit na bëri të mundur që me të gjitha format të dalim nga izolimi shumë-vjeçar, pra përmes aktiviteteve të ndryshme në nivel të klubeve, Kombëtares, etj,” ka thënë ai për FVK.

”Përkundër që ndër vite Kosova pati gjyqtarë të nivelit evropian, nuk e patën fatin që të ndjekin këtë mundësi të licencimit ndërkombëtar deri më tani për shkak të rrethanave, andaj ndjej barrë të rëndë mbi supe që të kurorzojmë punën shumë-vjeçare të kolegëve të mi, e të cilët sot presin me padurim këtë licencim.

”Përkundër që ndjehem shumë me fat, kam edhe ndjenjat e përziera pikërisht nga shtytja e madhe nga ata që është dashur qysh edhe para dekadave të jenë këtu ku më është dhënë mundësia mua të jem sot. Shpresoj të bëj më të mirën për vendin tim.” /Periskopi.com/

Shpërndaje në: