Gjykimi për vrasjen e dhëndrit me 7 plumba: Dëshmitari thotë se në momentin kritik kishte parë të akuzuarin me armë në dorë
Dëshmitari Labinot Beqiri deklaroi se në ditën kritike kishte dëgjuar të shtënat me armë dhe kishte parë të akuzuarin Tush Frokaj me armë në dorë.
Këto deklarime, Beqiri i bëri të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku Tush Frokaj akuzohet për vrasjen e mikut/dhëndrit A.P., me shtatë plumba në Klinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Beqiri atë kohë kishte punuar si kamarier në lokalin “Coyote” në Klinë, vendi ku kishte ndodhur vrasja.
Sipas tij, atë ditë rreth orës 16:30, kishte parë duke hyrë në lokal një njeri të panjohur me kapele në kokë, e që pas pak momenteve edhe i ka dëgjuar 5 apo 6 të shtëna me armë.
“Ai që ka gjuajtur, ka qenë me kapele. Ai e ka kryer vrasjen aty për aty, kur ka shtënë e kam kthyer kokën dhe e kam parë revolen në dorën e tij”, tha dëshmitari Beqiri.
Paraprakisht, është dëgjuar edhe dëshmitari Jeton Prelaj, vëllai i viktimës, i cili ka sqaruar disa rrethana lidhur me familjen e tij dhe të akuzuarin Frokaj.
Sipas dëshmitarit, para ditës kritike motra e tij A., (ish-bashkëshortja e tani të akuzuarit), i kishte kërkuar që ta dërgojë birin e saj tek i akuzuari Tush Frokaj.
“Jam kanë te Tushi, gjendja e Tushit ka qenë e mirë. Brenda nuk kam hy, se nuk dashta me ia hup kohën djalit me babën e tij, ka promja ka nisë m’u bo terr. A., më ka thirr më ka thënë që N., (djali) është ka don me u kthy në shtëpi tek A., dhe jam shku me marrë”, tha dëshmitari Prenaj.
Ai tha se i biri i të akuzuarit kishte vrapuar menjëherë tek vetura e tij dhe është futur në të.
Sipas dëshmitarit, vëllai i tij tani i ndjeri A., i kishte ndihmuar të akuzuarit për gjithçka dhe se nuk e kupton se përse ka vepruar kështu i akuzuari. Thotë se ka gjasa që të ketë qenë për kapital ose për ta mërzitur më shumë motrën e tij, ish-bashkëshorten e të akuzuarit.
Dëshmitari tha se motra e tij gjithmonë ishte munduar si grua që t’i ndihmojë dhe ta largojë prej të këqijave.
Gjykimi pritet të vazhdojë në muajin tetor.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 mars 2024 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Tush Frokaj, po akuzohet se më 7 gusht 2023, ka privuar nga jeta dhëndrin e tij, A.P., si dhe vuri në rrezik jetën e personave të tjerë dhe atë të dëmtuarit F.Rr. Frokaj po ngarkohet se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P., duke e lënë në vend të vdekur.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Frokaj ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi i janë gjetur një revole me dhjetë fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga, këllëf të pistoletës, një shufër metalike, trembëdhjetë fishekë të tjerë, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës, dhe një thikë.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari Frokaj në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë” në Klinë, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar, ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192, par.2, nënpar.2.1 dhe 2.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë, gjithashtu thuhet se pas ndalimit të veturës nga i dëmtuari e më të larguar nga vetura, Frokaj e merr veturën dhe arratiset e ku më pas atë veturë e lë tek shtëpia e tij, e që me këtë veprim ai akuzohet edhe për veprën penale “Marrja në posedim të pasurisë së luajtshme” nga neni 319, par.1 i KPRK-së.
Në aktakuzë, prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar që në rastin e shpalljes fajtor të të pandehurit, si rrethana rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit të merren për bazë mënyra e kryerjes së veprës penale, e kaluara kriminale e të pandehurit, lidhja familjare e të pandehurit me viktimën dhe se tani i ndjeri i kishte ndihmuar disa herë të pandehurit.
I akuzuari Frokaj, ishte i dënuar edhe me dy aktgjykime të formës së prerë, e që sipas aktakuzës, kjo ishte vërtetuar faktin se tek i pandehuri asnjëherë nuk ishte arritur njëri ndër qëllimet e dënimit që është në risocializimin e tij.