Gjykimi për mospërmbushje të kontratës, kërkohet të kthehet edhe një herë në trajtim ekspertiza financiare
Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për mospërmbushje të kontratës, përfaqësuesi i palës së paditur, avokati Ibrahim Dobruna, kërkoi që ekspertiza financiare të kthehet edhe një herë në trajtim, sipas kërkesës për llogaritjen e fitimit të humbur për qeranë, duke filluar nga korriku 2007 deri në përpilimin e ekspertizës.
Në këtë rast, N.M., Xh.M (dhe fëmijët e saj M.M, E.M dhe E.M) si dhe F.M., kanë paditur “Durante Group” për moskryerjen e objektit ndërtimor në afatin e caktuar në bazë të kontratës së lidhur mes tyre dhe B.G., pronar i “Durante Group”.
“…vlerësoj të nevojshme që t’i kthehet edhe njëhërë në trajtim plotësimi i ekspertizës ekspertit financiar Flamur Keqa sipas kërkesës për llogaritjen e fitimit të humbur për qeranë, duke filluar nga 1 korrik 2007 deri në përpilimin e ekspertizës”, tha Dobruna, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, avokati i palës paditëse, Musa Damati tha se sa i përket ekspertizës në raport për paditësit, konsideron se parimisht janë përfshirë kërkesat e tyre, mirëpo rezervojnë të drejtën që pas shqyrtimit në detaje të ekspertizës edhe nga palët paditëse eventualisht me ndonjë parashtresë t’i drejtohen Gjykatës për ndonjë plotësim eventual.
Rreth ekspertizës, në seancë është deklaruar edhe eksperti Flamur Keqa.
“Mbetem pranë konstatimeve të dhëna në plotësim-ekspertizën, e cila është kryer në pajtim me detyrat e dhëna nga Gjykata”, tha eskperti Keqa.
Në fund gjyqtari i rastit, Shaban Prekalla njoftoi palët se sa i përket propozimeve të paraqitura nga palët në këtë seancë, do të vendos me aktvendim të veçantë pasi të dorëzohen në këtë Gjykatë parashtresat-kërkesat për plotësimin e ekspertizës financiare.
Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar pas përmbushjes së kushteve ligjore.
Sipas padisë së ushtruar më 30 gusht 2007, N.M, S.M dhe F.M kanë ushtruar aktpadi për moskryerjen e objektit ndërtimor në afatin e caktuar në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet tyre dhe B.G pronarit të “Durante Group Real Estate Development”.
Përmes padisë, është kërkuar nga B.G., që të kryejë objektin e ndërtimit sa më shpejtë dhe t’ua paguajë paditësve të gjitha obligimet financiare deri në dorëzim të çelësave të banesave dhe lokaleve.
Po ashtu, paditësit më 19 shkurt 2021 kanë bërë precizim të padisë duke qenë pjesë e palës paditëse edhe Xh.M. Ata kërkuan që të aprovohet në tërësi padia, ashtu që B.G., të obligohet që për shkak të mospërmbushjes së kontratës të paguajë shumën prej 300 mijë euro.
Ndërkaq, më 26 gusht 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin është lejuar ndryshimi i padisë në kuptimin subjektiv për palën paditëse, ashtu që në vend të paditësit S.M i cili ka vdekur, si paditës do të jenë trashëgimtarët e tij- bashkëshortja XH.M dhe fëmijët M.M, E.M dhe E.M.
Mirëpo, i padituri G., më 29 tetor 2021 paraqiti kundërpadi, duke kërkuar nga gjykata që padia e palës paditëse të hudhet poshtë ose të refuzohet në tërësi, duke kërkuar që tani paditësit t’i njihet fitimi i humbur në vlerën prej 49 mijë e 300 euro dhe dëmin jomaterial e dëmtimin e imazhit në vlerën prej 8 mijë e 500 euro. Detajet rreth padisë, mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi