Gjykimi për 180 kg kokainë: Dëshmitari thotë se të akuzuarit i kishte dhënë 17 mijë euro borxh për ta ndërtuar shtëpinë
Në rastin ku Bashkim Kolshi po akuzohet për transportim të 180 kilogramëve kokainë dhe shpëlarje parash, dëshmitari i mbrojtjes Besfort Kolshi ka deklaruar se të akuzuarit i kishte dhënë 17 mijë euro borxh, kur ky i fundit kishte qenë duke e ndërtuar shtëpinë.
Fillimisht, dëshmitari Besfort deklaroi se është djali i axhës së të akuzuarit Bashkim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të të akuzuarit Bashkim, Kujtim Kërveshi, dëshmitari tha se të akuzuarit borxhin ia kishte dhënë në vitin 2011, kur sipas tij, ai kishte qenë duke ndërtuar shtëpinë në fshat.
Ndërsa, tha se edhe i akuzuari Bashkim kishte punuar në Gjermani për më shumë se 20 vite.
Po ashtu, dëshmitari Besfort tha se edhe pas vitit 2011 ka vazhduar të ketë raporte të mira me të akuzuarin Bashkim.
“Po po, si jo. Kemi pas raporte, jemi taku familjarisht normal. Raporte të mira gjithmonë”, tha dëshmitari Besfort.
Ndërkaq, në pyetjet e prokurores Merita Bina-Rugova, dëshmitari Besfort tha se i akuzuari Bashkim në Gjermani ka jetuar rreth 130 kilometra larg tij.
I njëjti deklaroi se përveç atyre 17 mijë euro, të njëjtit i kishte dhënë borxh edhe disa hera tjera, e që sipas tij kanë qenë shuma të vogla, 1 mijë – 2 mijë euro.
Mirëpo, tha se për ato 17 mijë euro i ka mbetur ende borxh.
Ndërsa, në pyetjet e trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Lutfi Shala, dëshmitari Besfort deklaroi se ato para ia kishte dhënë “cash”.
Gjykatësi Shala konstatoi se ky ka qenë edhe dëshmitari i fundit i mbrojtjes.
Kurse, sa i përket administrimit të provave materiale, trupi gjykues vendosi që prokurores Bina-Rugova t’i jepte kohë që secilën prej tyre t’i paraqiste të elaboruara me shkrim.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Bashkim Kolshit, të cilin e akuzon për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe shpëlarje parash.
Kontrabandimin e narkotikut, aktakuza thotë se i pandehuri Kolshi e ka bërë me dhjetë dërgesa gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019. Aktakuzën e plotë për këtë rast mund ta lexoni duke klikuar KËTU.