Gjykata Speciale deklarohet: S’ka as kërkesë e as vendim të bërë publik që Hashim Thaçit t’i jepet leje për të marrë pjesë në varrimin e babait

Gjykata Speciale e Hagës ka thënë se aktualisht s’ka as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari lidhur me lirimin e mundshëm të ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë sot në ceremoninë e varrimit të babit të tij në Burojë të Skenderajt, shkruan Gazeta Express.
Kështu ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, duke thënë se Specialja i publikon të gjitha dokumentet publike në faqen e Gjykatës.
“Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Aktualisht nuk ka kërkesa apo vendime publike për këtë çështje”, ka thënë Doyle.
Ai tutje ka shtuar se deri më sot, Dhomat e Specializuara kanë menaxhuar 13 vizita në Kosovë për të paraburgosurit.
“Deri më tani, KSC ka menaxhuar 13 vizita të mbikqyrura në Kosovë për të paraburgosurit”, ka thënë Doyle për Express, transmeton Periskopi.
Babai i ish-presidentit Hashim Thaçi do të varroset sot në orën 15:00 në Burojë të Skenderajt.
Hashim Thaçi pas disa përpjekjesh dhe refuzimesh kishte arritur që të merrte leje për ta vizituar babain e tij Haxhi Thaçin më 13 mars 2025 derisa ky i fundit ishte i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Dje OVL e UÇK-së ka bërë të ditur se Hashim Thaçi s’do të lejohet nga Specialja për të marrë pjesë në varrimin e babait. Kjo ka nxitur reagime të shumta, përfshirë minsitren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ka treguar se do t’i shkruaj letër Speciales për t’u ankuar. Gjithashtu ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndrimi i të cilit është shpërndarë nga emisari amerikan, Richard Grenell.
Rama ka deklaruar se Gjyakta Speciale e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe, dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang.